Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij “shpreh keqardhje të thellë” për goditjen sipas tij, aksidentale të kishës së vetme katolike në Gaza, ku vdiqën tre persona që po strehoheshin aty.
“Çdo jetë e pafajshme e humbur është një tragjedi. Ndajmë dhimbjen e familjeve dhe besimtarëve”, tha Netanyahu në një deklaratë.
Ngjarja ndodhi të enjten, kur një sulm ajror izraelit goditi Kishën e Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës. Sipas Patriarkanës Latine të Jerusalemit, e cila mbikëqyr këtë famulli të vogël, disa persona të tjerë u plagosën gjithashtu, raporton BBC.
Papa Leoni XIV tha se ishte “thellësisht i pikëlluar kur mësoi për vdekjet dhe plagosjet”, duke përsëritur thirrjen e tij për armëpushim në Gazë.
Në deklaratën e tij, Netanyahu tha se Izraeli është duke hetuar incidentin dhe mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e civilëve dhe vendeve të shenjta.
Më vonë gjatë së enjtes, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se një hetim fillestar mbi raportimet për persona të plagosur në Kishën e Familjes së Shenjtë në Gazë sugjeron se copëza nga një predhë e hedhur gjatë një operacioni ushtarak në zonë goditën kishën gabimisht. Sipas tyre, shkaku i incidentit është ende në shqyrtim.
IDF-ja shtoi se goditjet e tyre janë të drejtuara vetëm ndaj caqeve ushtarake dhe se bëjnë çdo përpjekje të mundshme për të shmangur dëmet ndaj civilëve dhe strukturave fetare.
Më herët gjatë ditës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se presidenti amerikan Donald Trump nuk e priti mirë sulmit ndaj kishës.
Trump foli në telefon me Netanyahun të enjten në mëngjes për të diskutuar incidentin. Gjatë bisedës, Netanyahu e përshkroi sulmin si një gabim, sipas Leavitt.
Patriarkana njoftoi se prifti i famullisë, At Gabriel Romanelli, ishte një nga të plagosurit në sulm.
Sipas saj, njerëzit kishin gjetur strehim në kishë, duke shpresuar që tmerri i luftës të mos i prekte.
Udhëheqësit katolikë dhe ortodoksë hyjnë në Gazë pas sulmit izraelit ndaj kishës
Udhëheqësit më të lartë të kishave në Jerusalem hynë të premten në Gazë në një vizitë të rrallë solidariteti, një ditë pasi një predhë izraelite goditi kishën e vetme katolike atje, duke vrarë tre persona.
Patriarku Latin i Jerusalemit, Pierbattista Pizzaballa dhe Patriarku Ortodoks Grek Theophilos III hynë në Gaza në mëngjes, sipas një deklarate të lëshuar nga Patriarkana Latine e Jerusalemit, raporton AP.
Delegacioni arriti pasdite në Kishën Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza. Përveç tre personave të vrarë nga sulmi, dhjetë të tjerë u plagosën, përfshirë edhe priftin që jeton aty. Edhe kisha u dëmtua.
Delegacioni gjithashtu po planifikon të dërgojë qindra ton ndihma ushqimore, pajisje mjekësore dhe furnizime për familjet brenda Gazës, thuhet në deklaratë. Ata thanë gjithashtu se kanë siguruar edhe evakuimin e të plagosurve për trajtim jashtë Gazës.
Sulmi është dënuar nga shumë udhëheqës botërorë dhe figura fetare. Papa Leoni XIV të enjten përsëriti thirrjen për armëpushim të menjëhershëm pas sulmit, dhe presidenti Donald Trump telefonoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për t’i shprehur pakënaqësinë e tij.
Izraeli të enjten shprehu keqardhje për atë që e quajti një aksident dhe tha se po e heton çështjen.
Vizita e liderëve fetarë të premten ishte një hyrje shumë e rrallë në territor nga një delegacion i jashtëm. Me përjashtim të disa punonjësve të ndihmës dhe disa palestinezëve që kanë nevojë për trajtim mjekësor jashtë, shumë pak persona kanë mundur të hyjnë apo të dalin nga Gaza që nga fillimi i ofensivës së fundit të Izraelit në maj.