Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Turistët në Bukuresht marrin me qira banesa “të rrezikshme”

bukuresht

Bukureshti është kryeqyteti më i rrezikuar nga tërmetet në Bashkimin Evropian. Për të frenuar përdorimin e banesave të pasigurta, Rumania në vitin 2024 e ka ndaluar dhënien me qira afatshkurtër dhe afatgjatë në ndërtesat me rrezik të lartë sizmik, të klasifikuara si RS1. Si rezultat, në kryeqytet ka të paktën 404 ndërtesa të tilla, ku çdo lloj dhënieje me qira është e paligjshme.

Turistët që vizitojnë Bukureshtin, kryeqytetin e Rumanisë, po akomodohen në objekte të paligjshme, të listuara në Airbnb dhe Booking.com. Ata po qëndrojnë në ndërtesa me rrezik të lartë shembjeje në rast të një tërm0eti të fuqishëm. Kjo del nga të dhënat ekskluzive të ndara me The Guardian.

Analiza e të dhënave të mbledhura nga Re:Rise, një organizatë rumune që punon për uljen e rrezikut sizmik, në fund të muajit maj identifikoi të paktën 207 prona të paligjshme turistike në Bukuresht, që lëshohen me qira dhe reklamohen në këto dy platforma, me një kapacitet të kombinuar për të pritur më shumë se 1.000 vizitorë çdo natë.

Booking.com kishte të listuara 116 prej tyre, 47 ishin në Airbnb, ndërsa 44 prona figuronin në të dyja platformat. Të gjitha ndodheshin në ndërtesa të klasifikuara me nivelin më të lartë të rrezikut sizmik.

Bukureshti është kryeqyteti më i rrezikuar nga tërmetet në Bashkimin Evropian. Gjatë shekullit të kaluar ai është goditur nga dy tërmete të mëdha. Më i fundit, në vitin 1977, la të vdekur mbi 1.500 njerëz, të lënduar më shumë se 10.000 dhe rrëzoi 32 ndërtesa brenda më pak se një minute.

Ekspertët besojnë se një tërmet tjetër i tillë është i pashmangshëm, duke paralajmëruar se dëmet mund të jenë edhe më të mëdha se në katastrofat e mëparshme, pasi shumë ndërtesa të qytetit janë dobësuar në strukturë gjatë dekadave të fundit.

Edhe Shiu i dendur shkakton përmbytje në pjesë të Rumanisë Botë 9 muaj më parë Shiu i dendur shkakton përmbytje në pjesë të Rumanisë

Për të frenuar përdorimin e banesave të pasigurta, Rumania në vitin 2024 e ka ndaluar dhënien me qira afatshkurtër dhe afatgjatë të apartamenteve në ndërtesat me rrezik të lartë sizmik, të klasifikuara si RS1. Si rezultat, në kryeqytet ka të paktën 404 ndërtesa të tilla, ku çdo lloj dhënieje me qira është e paligjshme. Shkeljet dënohen me gjoba nga 1.000 deri në 2.000 euro.

Turistët e painformuar

Meqenëse vetëm një pjesë e vogël e ndërtesave të qytetit është vlerësuar zyrtarisht për rrezikun sizmik, ekspertët besojnë se përmasat reale të akomodimeve të pasigurta janë ndoshta edhe më të mëdha.

Megjithatë, këto rreziqe rrallëherë u bëhen të qarta turistëve që rezervojnë një vend për të qëndruar. As Airbnb dhe as Booking.com nuk u kërkojnë pronarëve të deklarojnë nëse pronat e tyre janë në strukturë të sigurta.

“Ne provuam çdo mënyrë të mundshme për t’i njoftuar platformat për këtë problem, por ato na thanë se përgjegjësia u takon pronarëve dhe jo atyre”, tha Matei Sumbasacu, inxhinier ndërtimi dhe themelues i Re:Rise.

Ana Todor, e cila rezervoi dy herë apartamente në ndërtesa RS1 përmes Airbnb gjatë vitit 2025, tha se kishte ndjesinë se pronarët dhe platformat “mbështeteshin” te fakti që mysafirët nuk do t’i shqyrtonin me kujdes rregullat dhe ligjet.

“Por kur mbërrita, ndërtesa dukej në gjendje shumë të keqe nga jashtë dhe nuk më krijoi aspak ndjenjë sigurie”, tha Todor.

“Përshkrimet që minimizojnë rrezikun janë si një fasho me personazhin Hello Kitty mbi një çarje të thellë”, shpjegoi ajo.

Todor thotë se nuk e dinte që dhënia me qira në ndërtesa të tilla ishte e paligjshme dhe se tani do ta merrte gjithmonë parasysh gjendjen dhe vendndodhjen e ndërtesës përpara se të rezervonte.

“Sa më shumë kam mësuar për këtë, aq më shumë më është shtuar ankthi. Sa herë që udhëtoj në Bukuresht, nuk fle mirë: jam vazhdimisht në tension”, rrëfeu ajo.

Një nga apartamentet e gjetura nga The Guardian dhe Re:Rise në Airbnb, një apartament me dy dhoma gjumi i përshkruar si një “apartament dizajni” në Sheshin Universitar, kushton rreth 100 euro për natë dhe mund të presë deri në gjashtë persona. Një familje që kishte qëndruar aty tetorin e kaluar kishte shkruar në vlerësimin e saj se ndërtesa ishte “e vjetër dhe nga jashtë dukej e dyshimtë”.

Një “superhost” në Airbnb ka 25 prona të listuara në platformë, prej të cilave të paktën gjashtë ndodhen në ndërtesa me rrezikun më të lartë sizmik, sipas analizës. Një apartament në një ndërtesë RS1 në Sheshin Roman përshkruhet si një kombinim “sharmit klasik me komoditetin modern, ideal si për udhëtime pune ashtu edhe për pushime”.

Numri i vërtetë i apartamenteve turistike në ndërtesat RS1 ka të ngjarë të jetë edhe më i lartë, pasi analiza përfshin vetëm ato prona për të cilat u konfirmua adresa. Nga pronat e konfirmuara, vetëm dy e përmendnin në përshkrim se ndodheshin në një ndërtesë me rrezik të lartë sizmik. Edhe ato përpiqeshin ta minimizonin rrezikun.

Në njërën prej tyre, pronari shkruan se akomodimi “mund të figurojë në klasifikime më të vjetra të rrezikut sizmik”, duke shtuar se kjo është “e zakonshme për ndërtesat historike në qendrën e qytetit” dhe se ndërtesa “është e banuar dhe mirëmbajtur rregullisht”.

Një tjetër listim nuk e përmend drejtpërdrejt rrezikun, por në biografinë në anglisht të pronarit përfshihet një fjali në rumanisht ku thuhet se ndërtesa ku ndodhet apartamenti ka një “pikë”, pa shpjeguar se çfarë do të thotë kjo.

Edhe Medvedev kërcënon Evropën pas sulmit në Rumani: Gjumi i qetë ka marrë fund Botë 1 muaj më parë Medvedev kërcënon Evropën pas sulmit në Rumani: Gjumi i qetë ka marrë fund

Sipas ligjit, ndërtesat RS1 duhet të kenë të vendosur mbi hyrje një pikë të kuqe me një njoftim në gjuhën rumune që tregon se ndërtesa është klasifikuar në klasën e parë të rrezikut sizmik. Për shumicën dërrmuese të vizitorëve të huaj, ky paralajmërim është praktikisht i padukshëm nëse nuk dinë rumanisht, thonë aktivistët.

Vendimi për të vepruar vetë

Pasi u përpoq pa sukses të paralajmëronte Airbnb dhe Booking.com për këto listime të rrezikshme, Re:Rise vendosi të vepronte vetë. Vullnetarët filluan të ngjisnin ngjitëse që hiqen me vështirësi mbi kutitë e çelësave të vendosura jashtë ndërtesave RS1 me apartamente turistike. Çdo ngjitëse kishte një kod QR që i dërgonte turistët në një faqe interneti ku mund të lexonin për rrezikun sizmik të pronës ku po hynin.

“Shteti mund t’u drejtohej drejtpërdrejt platformave dhe t’i detyronte të vepronin... Institucioni kryesor përgjegjës për këdo që viziton qytetin është bashkia”, tha Sumbasacu.

“Secili duhet të kujdeset për oborrin e vet, por ata gjithmonë i janë shmangur kësaj përgjegjësie”, shtoi ai.

Bashkia e qytetit tha se policia lokale kryen inspektime vetëm pas ankesave dhe se në janar kishte njoftuar ministrinë e Turizmit që ta përfshinte ligjin që ndalon qiratë në ndërtesat RS1 në procesin e autorizimit.

“U organizua gjithashtu një fushatë informuese për pronarët e apartamenteve dhe ndërtesave që ndodhen në listën e objekteve të klasifikuara në kategorinë RS1. Janë dërguar rreth 3.000 njoftime”, thuhet në deklaratë.

Një zëdhënës i Airbnb tha se siguria është prioritet për Airbnb dhe se kompania i merr seriozisht çështjet e tilla.

“Aktualisht po e shqyrtojmë informacionin e disponueshëm për të ndërmarrë veprimet e duhura”, tha ai.

Një zëdhënës i Booking.com tha se partnerët e tyre që ofrojnë akomodim duhet të sigurohen se i njohin detyrimet e tyre dhe veprojnë në përputhje me të gjitha ligjet lokale.

“Ne kemi një proces të qartë për autoritetet që të raportojnë çdo listim për të cilin kanë shqetësime”, u shpreh ai.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Rumanisë, Bukureshti priti më shumë se 2 milionë vizitorë gjatë vitit 2025, më shumë se çdo qytet tjetër në vend.

Megjithatë, një pjesë e madhe e infrastrukturës së qytetit, përfshirë disa shkolla, ndërtesa administrative, teatro, stacione zjarrfikësesh dhe prona private, vazhdon të jetë në rrezik të lartë sizmik.

Punimet për përforcimin e ndërtesave, të nisura pas tërmetit të vitit 1977, u ndërprenë kur diktatori komunist, Nicolae Ceaușescu, ridrejtoi fondet për ndërtimin e masivit Shtëpia e Popullit, e njohur sot si Pallati i Parlamentit të Rumanisë.

Edhe Fqinjët e Rusisë bëhen gati për luftë Botë 8 muaj më parë Fqinjët e Rusisë bëhen gati për luftë

Që nga miratimi i ligjit për përforcimin e ndërtesave në vitin 1994, vetëm 35 ndërtesa janë rehabilituar në strukturë.

Një vlerësim i rrezikut i kryer në vitin 2022 nga Komiteti i Qytetit të Bukureshtit për Situatat Emergjente vlerësoi se një tërmet i madh mund të dëmtojë rëndë rreth 23.000 ndërtesa në të gjithë qytetin, të shkaktojë rreth 6.500 viktima dhe të lërë rreth 16.000 persona të tjerë të lënduar rëndë.