Botë

Trupa të zhdukur, varre masive dhe 30 mijë të vdekur: Cila është e vërteta e numrit të të vdekurve në Iran?

Iran

Dëshmitë e mjekëve, stafit të morgëve dhe punonjësve të varrezave zbulojnë një përpjekje të madhe shtetërore për ta fshehur vrasjen sistematike të protestuesve. Sipas këtyre rrëfimeve, trupat e viktimave janë zhdukur, janë transportuar fshehurazi dhe në disa raste janë varrosur në varre masive pa identitet. Procedurat normale mjekoligjore janë anashkaluar dhe familjarëve u është mohuar e drejta për ta ditur të vërtetën. Këto veprime kanë krijuar frikë dhe heshtje, duke e bërë pothuajse të pamundur përcaktimin e numrit real të të vdekurve. Pas këtyre dëshmive fshihet një realitet i errët që autoritetet përpiqen ta mbajnë larg syrit publik.

Të enjten, më 8 janar, në një qytet jo aq të madh të Iranit, telefoni i dr. Ahmadit* cingëronte  vazhdimisht. Kolegët e tij nga urgjencat lokale po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë.
Gjatë gjithë javës, njerëzit kishin dalë në rrugë për protesta dhe ishin përballur me policinë, e cila përdori shkopinj gome dhe armë me fishekë gome. Me trajtim mjekësor, shumica e plagëve nuk duhej të ishin shumë të rënda. Por, stafi i urgjencës besonte se shumë të rinj të plagosur po shmangnin spitalet, nga frika se regjistrimi si pacientë me trauma do t’i ekspozonte ndaj identifikimit dhe arrestimit.

Në heshtje, Ahmadi, i cili deshi të mbetej anonim nga frika e hakmarrjes -  por identiteti dhe prania e tij në Iran gjatë trazirave janë verifikuar nga “The Guardian” - dhe bashkëshortja e tij filluan të trajtonin pacientë në një vend jashtë sistemit shtetëror spitalor. Të njoftuar përmes një rrjeti të fshehtë lokal, të rinjtë e plagosur nisën të vinin tek ata. Kryesisht kishin plagë sipërfaqësore: prerje që kërkonin qepje dhe trajtim me antibiotikë. Me kalimin e mbrëmjes të së enjtes, numri i pacientëve u rrit gjithnjë e më shumë.

Të nesërmen, situata ndryshoi papritur. Protestuesit vazhdonin të vinin, por këtë herë me plagë shumë më të rënda: plagë nga armë zjarri nga distancë e afërt dhe thika, kryesisht në gjoks, sy dhe organe gjenitale. Shumë prej tyre vdiqën.

Ahmadi u trondit nga numri i të vrarëve. Më shumë se 40 vetëm në qytetin e tij të vogël - por për shkak të bllokimit të internetit, askush nuk kishte një pasqyrë të qartë kombëtare. Për ta kuptuar më mirë situatën, ai krijoi një rrjet me mbi 80 profesionistë shëndetësorë në 12 nga 31 provincat e Iranit, për të ndarë vëzhgime dhe të dhëna.

Dëshmitë e tyre, të ndara me “The Guardian” dhe të kombinuara me informacione nga morgë dhe varreza në mbarë vendin, tregojnë përmasat e jashtëzakonshme të dhunës së ushtruar gjatë shtypjes së protestave. Ahmadi dhe kolegët e tij hezitojnë të japin një shifër të saktë, por bien dakord se “të gjitha shifrat publike për viktimat janë një nënvlerësim i rëndë”. Duke krahasuar numrin e vdekjeve që panë me të dhënat normale të spitaleve, ata vlerësojnë se numri real i viktimave mund të kalojë 30 mijë. Sipas tyre, “vdekjet e regjistruara zyrtarisht përbëjnë ndoshta më pak se 10% të numrit real”.
Vlerësimet ndryshojnë shumë, edhe për shkak të ndërprerjes së vazhdueshme të internetit. Qeveria iraniane ka folur për mbi 3.000 të vdekur. Organizata amerikane HRANA (Human Rights Activists News Agency), e njohur për besueshmëri në raste të mëparshme, ka verifikuar mbi 6.000 vdekje dhe po heton më shumë se 17.000 të tjera, çka e çon numrin e mundshëm në rreth 23.000. Mjekë iranianë jashtë vendit flasin për shifra që arrijnë deri në 33.000 ose më shumë.

Dëshmitë nga morgët, varrezat dhe spitalet tregojnë për përpjekje të organizuara të autoriteteve për ta fshehur numrin e vërtetë të viktimave: trupa të transportuar me kamionë akulloresh dhe mishrash; varrime të shpejta masive; dhe qindra trupa që duket se janë zhdukur nga rrjeti i mjekësisë ligjore.

Varreza masive  

Gjuha e Ahmadit është e matur dhe profesionale, por ai shpërthen në lot kur përshkruan dhunën që kanë dokumentuar. 

“Nga pikëpamja mjekësore, plagët që pamë tregojnë një brutalitet pa kufij - si në shkallë, ashtu edhe në mënyrë”, thotë ai. 

Një mjek tjetër nga Teherani shprehet: “Jam në prag të një kolapsi psikologjik. Kanë masakruar njerëz. Askush nuk mund ta imagjinojë… pashë vetëm gjak, gjak dhe gjak”.

Në të gjithë Iranin, morgët dhe varrezat u mbushën përtej kapaciteteve. Shumë spitale dhe institucione mjekoligjore u detyruan të refuzonin kamionë plot me trupa. Punonjësit përshkruajnë kaos të plotë dhe presion nga autoritetet për varrime të shpejta masive, me qëllim fshehjen e numrit të viktimave.

Në një morg, stafi tregon se u përball me disa kamionë të mbushur me trupa, shumë më tepër sesa kapaciteti i ruajtjes. Kur protestuan se nuk mund t’i përpunonin të gjithë, dy kamionë u larguan diku tjetër. Por kur punonjësit u përpoqën të gjurmonin se ku kishin përfunduar trupat, asnjë nga institucionet mjekoligjore të rajonit nuk i kishte pranuar. Mjekët dyshojnë se kjo lidhet me të ashtuquajturën “dafn-e dast-e jam’i”, pra varrime masive.

Rrjeti i Ahmadit gjeti të paktën shtatë kolegë të tjerë në katër provinca të mëdha që raportuan situata të ngjashme. Video të verifikuara nga morgu i Kahrizakut në Teheran tregojnë skena të ngjashme, me qindra trupa të shtrirë në rrugë jashtë ndërtesës.

“The Guardian” foli gjithashtu me tre dëshmitarë të pavarur, të cilët përshkruan presion për varrime masive dhe grumbuj me qindra trupa në varrezën e madhe Behesht-e Sakineh, në qytetin Karaj, rreth 50 kilometra në perëndim të Teheranit.

Në një dëshmi me shkrim të ndarë me The Guardian, Reza* - një dëshmitar që thotë se ka qenë i pranishëm në Behesht-e Sakineh – rrëfen se më 10 dhe 11 janar u sollën aty qindra trupa. Sipas tij, këta trupa ishin të paidentifikuar.

Shumë prej të vdekurve, thotë ai, u transportuan me kamionçina të vogla, të cilat zakonisht përdoren për fruta dhe perime. Jo të gjithë trupat ishin të mbyllur në qese mortore.

“Këto mjete bënin dhjetëra udhëtime mes magazinave dhe varrezave”, thotë Reza. “Kam parë trupa aq të ngjitur me njëri-tjetrin, sa duhej forcë për t’i ndarë. Gjaku ishte ende i freskët ose i tharë, sepse trupat ishin grumbulluar njëri mbi tjetrin”.

Përshkrimi i tij përputhet me dëshmitë e Ahmadit dhe rrjetit të tij. Ata thonë se në disa qytete panë kamionë frigoriferë, të përdorur zakonisht për akullore ose mish, që lëviznin në kolona drejt institucioneve të mjekësisë ligjore dhe hyrjeve të pasme të spitaleve.

Një tjetër dëshmitar në Behesht-e Sakineh, i cili kishte marrë leje për të kërkuar trupin e një miku, thotë se ai vetë kërkoi mes qindra trupave të grumbulluar. Stafi i varrezave i tha se kishin marrë “mijëra trupa vetëm në dy ditët e fundit”.

Sipas tij, punonjësit e varrezave thanë se kishin urdhër t’i varrosnin trupat në varre masive. Por, shumë prej tyre refuzuan, nga frika e hakmarrjes. Një punonjës kishte thënë: “Kam frikë ta bëj këtë, sepse njerëzit do të vijnë një ditë të kërkojnë familjarët e zhdukur dhe do të më vrasin mua, duke më fajësuar për këto varre masive”.

Fshirje e kujtesës

Dëshmitë nga Behesht-e Sakineh janë vetëm një shembull i asaj që duket si një model në gjithë vendin. Staf mjekoligjor në shumë zona të Iranit raporton pamje të ngjashme. Mjekët dhe punonjësit e morgëve theksojnë se lloji i plagëve që kanë parë te të plagosurit dhe trupat tregon vrasje të qëllimshme dhe sistematike të protestuesve, dhe jo të shtëna të rastësishme.

Në disa raste, vrasjet dukeshin si ekzekutime. Punonjës shëndetësorë në dy qytete të ndryshme iraniane thanë se kishin marrë trupa me plagë nga armë zjarri në kokë, nga shumë afër. Disa prej tyre ishin transferuar nga morgët e spitaleve ende me kateterë, tuba ushqimi ose tuba frymëmarrjeje të lidhur.

“Kjo është shumë e dyshimtë”, thotë Ahmadi. “Normalisht, pajisjet mjekësore hiqen pas vdekjes. Fakti që ishin ende të lidhura tregon se këta persona kanë vdekur ndërsa ishin ende nën kujdes mjekësor.”
Këto dëshmi përputhen me fotografi të verifikuara nga organizata iraniane e verifikimit të fakteve “Factnameh”. Fotografitë tregojnë pacientë të vdekur në qese mortore, të veshur me rroba spitali, me kateterë ende të lidhur dhe me plagë që duken si të shtëna në ballë. “The Guardian” nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur këto fotografi.

Një mjek iranian me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili analizoi fotografitë, tha:

“Nga pikëpamja mjekësore, duket se këta pacientë janë qëlluar direkt në kokë ndërsa ishin ende nën trajtim”.

Ndërkohë që stafi mjekësor përpiqet të ndajë dëshmitë dhe të dhënat, shumë prej tyre kanë frikë se numri i vërtetë i viktimave nuk do të zbulohet kurrë. Ata besojnë se autoritetet po bëjnë përpjekje të organizuara për t’i fshehur shifrat.

Sipas mjekëve, këto mekanizma përfshijnë: dekurajimin e njerëzve për të shkuar në spitale, largimin e trupave nga procedurat normale mjekoligjore, zhvendosjen e trupave në vende pa dokumentim dhe kufizimin e mundësisë së mjekëve për të regjistruar shkaqet e vdekjes.

Së bashku, thotë Ahmadi, “këto veprime formojnë një sistem që nuk synon vetëm shtypjen e protestave, por edhe fshirjen e kujtesës”.