Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale të shtunën, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se po zhvillohen “bisedime shumë të mira” me Iranin, por theksoi se nuk do të lejojë që Teherani ta “shantazhojë” SHBA-në përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai shtoi se Irani po sillet “pak dinak, siç ka bërë për 47 vjet”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTrumpi rikujtoi gjithashtu se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të vazhdojë derisa “marrëveshja jonë me Iranin të jetë 100% e përfunduar”.
Nga ana tjetër, kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se ndonëse “është bërë përparim” në negociatat për përfundimin e luftës me SHBA-në, të dyja palët janë “larg diskutimit përfundimtar”.
Ghalibaf, një nga negociatorët iranianë, ishte javën e kaluar në Pakistan për bisedime paqeje me përfaqësues amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance.
Deri më tani nuk është caktuar një datë për raundin e ardhshëm të bisedimeve.
Netanyahu: Lufta me Iranin s’ka mbaruar ende
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se lufta me Iranin ende s’ka mbaruar.
Netanyahu ka folur për media pas një takimin në Jerusalem me presidentin e Argjentinës, Javier Milei, transmeton “BBC”.
"Jemi në një kohë sfidash të mëdha dhe pasojash të mëdha. Ne kemi qenë të angazhuar me Shtetet e Bashkuara në një betejë kundër tiranisë së madhe të Iranit”, tha ai. "Kemi arritur gjëra të mëdha. Nuk ka mbaruar ende dhe çdo moment mund të na sjellë zhvillime të reja”.
Bëhet i ditur ekipi amerikan negociues, e Irani ende s’e ka konfirmuar pjesëmarrjen
Ekipi amerikan që po shkon për negociata me Iranin nuk është i panjohur me bisedimet diplomatike.
BBC-ja ka marrë vesh se ata që do të jenë pjesë e ekipit amerikan negociues, janë:
- Zëvendëspresidenti JD Vance
Pas pjesëmarrjes në raundin e mëparshëm të bisedimeve me Iranin në Pakistan një javë më parë, Vance tha se ekipi amerikan u largua me një “propozim shumë të thjeshtë”.
“Do të shohim nëse iranianët do ta pranojnë.”
- I dërguari special Steve Witkoff
Një magnat i pasurive të paluajtshme dhe partner golfi i Donald Trump-it, Witkoff ka ndihmuar në negociatat mes Hamasit dhe Izraelit në Gaza.
Ai ka luajtur gjithashtu një rol kyç në bisedimet e SHBA-së me Rusinë për luftën në Ukrainë.
- I dërguari special Jared Kushner
Kushner, dhëndri i Trump-it, njihet për bizneset dhe zhvillimet ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme.
Ashtu si Witkoff, ai ka vepruar si ndërmjetës në bisedimet për paqen në Ukrainë.
Por, derisa ekipi negociator amerikan tashmë dihet, Irani ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedimet e reja në Pakistan.
Kanë kaluar më shumë se tre orë që kur Donald Trump njoftoi se përfaqësuesit amerikanë po shkojnë në Pakistan për negociata.
Por deri tani, asnjë zyrtar iranian i identifikuar nuk ka konfirmuar apo mohuar nëse Irani do të marrë pjesë në një raund të ri bisedimesh.
Ndërkohë, dy media iraniane të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) kanë hedhur dyshime mbi pjesëmarrjen e Iranit.
Agjencia e lajmeve Tasnim tha se ekipi iranian ka theksuar që për sa kohë ekziston një bllokadë nga SHBA-ja, nuk do t’i bashkohet bisedimeve dhe as nuk e ka vendosur ende nëse do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm. Megjithatë, situata u përshkrua si “jo pozitive”.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Irani nuk do të marrë pjesë. Ende pritet një deklaratë zyrtare.
Mirë si ka rrjedhur e gjithë ngjarja.
28 shkurt: SHBA dhe Izraeli nisin sulme ndaj Iranit, pasi dështojnë bisedimet diplomatike. Ditën tjetër dalin raportet e para për sulme ndaj anijeve tregtare.
2 mars: Një zyrtar iranian thotë se Irani do t’i “vërë zjarrin kujtdo që përpiqet të kalojë” nëpër Ngushticën e Hormuzit duke e mbyllur praktikisht një nga rrugët kryesore detare në botë.
6 mars: Trump thotë se nuk do të ketë marrëveshje “përveç dorëzimit pa kushte” të Iranit.
21 mars: Trump vendos një afat, duke kërcënuar të godasë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse nuk hapet ngushtica.
23 mars: Trump e shtyn afatin, duke përmendur “bisedime produktive”, kjo pasohet nga shtyrje të tjera dhe kërcënime të reja.
7 prill: Trump paralajmëron se “një civilizim i tërë do të vdesë” nëse ngushtica nuk hapet para një afati të ri. Gjatë natës, Pakistani, si ndërmjetës, shpall një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit për bisedime të mëtejshme.
11 prill: Zyrtarë të lartë nga të dyja palët, përfshirë Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe Ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, takohen në Pakistan.
12 prill: Pas 21 orësh, bisedimet përfundojnë pa zgjidhur çështjet kryesore. Trump shpall një bllokadë të porteve iraniane.
17 prill: Ministri i jashtëm i Iranit thotë se ngushtica do të mbetet e hapur gjatë armëpushimit. Trump thotë se bllokada do të vazhdojë.
18 prill: Garda Revolucionare Islamike e Iranit e bllokon sërish ngushticën – dy anije tregtare raportojnë sulme. Trump thotë se po zhvillohen “bisedime shumë të mira”, por SHBA nuk do të “shantazhohet”.
19 prill: Trump njofton se përfaqësuesit e tij, të udhëhequr nga Vance, do të kthehen në Pakistan të hënën për bisedime. Ai rinovon kërcënimin për të shkatërruar çdo central energjetik dhe urë në Iran nëse nuk arrihet një marrëveshje. Udhëheqja iraniane ende nuk ka konfirmuar nëse do të dërgojë përfaqësues në Islamabad.
Trumpi njofton se ekipi amerikan është nisur për në Pakistan për bisedime
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të dielën se ekipi amerikan është nisur të dielën për në Islamabad të Pakistanit, për bisedime me Iranin.
“Irani vendosi të qëllojë dje me plumba në Ngushticën e Hormuzit - Një shkelje totale e Marrëveshjes sonë të Armëpushimit! Shumë prej tyre kishin për qëllim një anije franceze dhe një anije mallrash nga Mbretëria e Bashkuar. Kjo nuk ishte mirë, apo jo? Përfaqësuesit e mi do të shkojnë në Islamabad, Pakistan - Ata do të jenë atje nesër në mbrëmje, për negociata. Irani njoftoi së fundmi se po e mbyllte Ngushticën, gjë që është e çuditshme, sepse bllokada jonë e ka mbyllur tashmë. Ata po na ndihmojnë pa e ditur, dhe janë ata që humbasin me kalimin e mbyllur, 500 milionë dollarë në ditë! Shtetet e Bashkuara nuk humbasin asgjë”, ka shkruar Trumpi.
“Ne po ofrojmë një marrëveshje shumë të drejtë dhe të arsyeshme, dhe shpresoj që ta pranojnë sepse, nëse nuk e bëjnë, Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo termocentral dhe çdo urë në Iran. Ata do të rrëzohen shpejt, do të rrëzohen lehtë dhe, nëse nuk e pranojnë marrëveshjen, do të jetë nderi im të bëj atë që duhet bërë, të cilën duhet t'ia kishin bërë Iranit presidentët e tjerë, gjatë 47 vjetëve të fundit. Është koha që makina vrasëse e Iranit të mbarojë”, ka shtuar ai.
S'ka trafik në Hormuz, Irani i bën thirrje Trumpit të heqë bllokadën “budallaqe”
Anijet kanë ngecur përsëri rreth Ngushticës së Hormuzit pasi Irani rifillon bllokadën e tij, teksanjë faqe interneti për ndjekjen e trafikut detar nuk tregon asnjë anije që kalon rrugën kryesore ujore.
Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, e ka quajtur bllokadën amerikane të porteve të Iranit "budallallëk", por thotë se është bërë përparim në bisedime, pavarësisht se të dy vendet mbeten "larg" një marrëveshjeje paqeje.
Ndërkohë, presidenti amerikanm, Donald Trump, ka deklaruar së fundmi se po zhvillohen "biseda shumë të mira" me Iranin, por ka shtuar se nuk do ta lejojë Teheranin të "shantazhojë" SHBA-në për ngushticën.
Trumpi ka thënë po ashtu se bllokada do të vazhdojë derisa "transaksioni ynë me Iranin të jetë 100% i përfunduar", ndërsa Irani thotë se ngushtica do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të heqë rrethimin.
Dy anije luftarake iraniane kanë hapur zjarr ndaj një tankeri në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa anije të tjera raportojnë se janë goditur nga "predha të panjohura" gjatë fundjavës.
Irani arreston dy të huaj për importim të teknologjisë Starlink
Katër individë, përfshirë dy shtetas të huaj, janë arrestuar në veriperëndim të Iranit, ka raportuar të dielën agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim, për pjesëmarrje në një "rrjet spiunazhi të lidhur me SHBA-në dhe Izraelin".
Të huajt, kombësia e të cilëve nuk është zbuluar, akuzohen për importimin e pajisjeve të internetit satelitor si Starlink, gjë që është një vepër penale në vendin i cili po përballet me shtatë javë ndërprerje të internetit.
Qindra iranianë janë arrestuar për "bashkëpunim me shtetet armike" që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin.
Kryenegociatori i Iranit kërkon “paqe të qëndrueshme”, por shpreh mosbesim ndaj SHBA-së
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, ka deklaruar se vendi i tij synon një “paqe të qëndrueshme”, disa ditë përpara skadimit të afatit të armëpushimit.
Në një intervistë televizive për mediat shtetërore iraniane, ai theksoi se megjithëse Teherani ka qëllime të mira për stabilitet afatgjatë, ekziston një mosbesim i thellë ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ajo që është themelore për ne është mosbesimi ndaj SHBA-së. Në të njëjtën kohë, kemi qëllime të mira dhe kërkojmë një paqe të qëndrueshme — një paqe që parandalon përsëritjen e luftës,” u shpreh Qalibaf.
Izraeli pretendon se ka vrarë një nga komandantët kryesor të Hezbollahut
Ushtria Izraelite ka njoftuar se ka kryer një seri sulmesh ajrore që, sipas saj, kanë vrarë mbi 150 luftëtarë të Hezbollahut në jug të Liban.
Sipas deklaratës, në mesin e të vrarëve është edhe Ali Rida Abbas, i identifikuar si komandant i Hezbollahut në Bint Jbeil, zonë që ka qenë skenë përleshjesh të ashpra mes forcave izraelite dhe militantëve në ditët para armëpushimit, shkruan AP.
Izraeli nuk ka paraqitur prova që mbështesin këto pretendime, ndërsa Hezbollahu nuk e ka konfirmuar menjëherë vdekjen e komandantit të tij.
Armëpushimi mes palëve hyri në fuqi herët të premten, pas një periudhe përshkallëzimi të dhunës në rajon.
Raportohen viktima në Liban pavarësisht armëpushimit
Edhe pse armëpushimet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, si dhe mes Izrael dhe Libanit duket se po respektohen, disa incidente gjatë fundjavës kanë rezultuar me viktima.
Ushtria izraelite njoftoi se dy ushtarë kanë humbur jetën në jug të Libanit që nga hyrja në fuqi e armëpushimit. Sipas mediave izraelite, rreshteri major rezervist Barak Kalfon vdiq nga një shpërthim gjatë pastrimit të ndërtesave, ku u plagosën edhe tre ushtarë të tjerë.
Ndërkohë, rreshteri i klasit të parë rezervist Lidor Porat u vra në një incident tjetër, ku nëntë persona përfunduan në spital. Raportohet se automjeti i blinduar ku udhëtonin trupat goditi një minë tokësore, ndërsa rasti po hetohet si një shkelje e mundshme e armëpushimit.
Në një zhvillim të veçantë, një paqeruajtës francez i misionit UNIFIL u vra në një sulm, për të cilin presidenti francez Emmanuel Macron fajësoi Hezbollahun. Ky i fundit e ka mohuar përfshirjen në incident.
Irani thotë se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammed Bagher Qalibaf, ka deklaruar se është e pamundur që vendet e tjera të kalojnë nëpër Ngushtica e Hormuzit nëse Irani nuk mund ta bëjë këtë, duke theksuar se kjo pikë strategjike ndodhet tashmë nën kontrollin e Teheranit. Ai paralajmëroi se rihapja e plotë e qarkullimit në këtë korridor jetik detar do të varet nga heqja e bllokadës detare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë të transmetuar nga mediat gjysmëzyrtare iraniane, Qalibaf u shpreh se nëse Washingtoni nuk e heq bllokadën, trafiku në Ngushticën e Hormuzit “do të kufizohet patjetër”, duke rritur tensionet në një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian ka bërë të ditur se Irani nuk është ende i gatshëm për një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta me SHBA-në, duke akuzuar Washingtonin për qëndrime “maksimaliste” në çështje kyçe.
Në një intervistë për The Associated Press, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Saeed Khatibzadeh, deklaroi se vendi i tij nuk do t’ia dorëzojë uraniumin e pasuruar SHBA-së, duke hedhur poshtë pretendimet e bëra nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Mund t’ju them se asnjë material i pasuruar nuk do të dërgohet në Shtetet e Bashkuara. Kjo është e papranueshme dhe nuk është pikënisje për negociata,” u shpreh Khatibzadeh, duke shtuar se Irani është i gatshëm të adresojë shqetësimet ekzistuese, por nuk do të pranojë kërkesa që i konsideron të papranueshme.