Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka sinjalizuar të dielën se po ndryshonte kurs lidhur me bllokimin e dërgesave të naftës drejt Kubës, duke thënë se “nuk ka asnjë problem” që çdo vend të dërgojë naftë, ndërsa një cisternë ruse po i afrohej një porti kuban me një ngarkesë shumë të nevojshme.
Një anije ruse e sanksionuar, pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” të vendit, ndodhej pranë brigjeve lindore të Kubës të dielën, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve, dhe pritej të mbërrinte në port të hënën, duke u konsideruar një shpëtim për ekonominë e vendit, e cila pothuajse është ndalur për shkak të një bllokade faktike të naftës të vendosur nga Uashingtoni.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSHBA-ja ka ndërprerë eksportet e naftës nga Venezuela drejt Kubës pasi rrëzoi presidentin venezuelian Nicolas Maduro, më 3 janar, dhe Trumpi ka kërcënuar të vendosë tarifa ndëshkuese ndaj çdo vendi tjetër që do të dërgonte naftë në Kubë. Meksika, furnizuesi më i madh i Kubës së bashku me Venezuelën, më pas ka ndaluart dërgesat e saj.
Si rezultat, Kuba nuk ka marrë asnjë cisternë nafte për tre muaj, sipas presidentit Miguel Diaz-Canel, duke përkeqësuar një krizë energjetike që ka çuar në kufizime të rrepta të benzinës dhe ndërprerje të shumta të energjisë elektrike në vendin me 10 milionë banorë. Zyrtarët shëndetësorë kubanë thonë se kjo krizë ka rritur rrezikun e vdekshmërisë për pacientët me kancer, veçanërisht për fëmijët.
Duke folur me gazetarët në bordin e avionit Air Force One, Trumpi ka shprehur kuptim për nevojën e popullit kuban për energji dhe ka thënë se nuk ishte i shqetësuar për ndihmën që kjo mund t’i japë qeverisë komuniste në Havanë, pasi parashikonte se ajo do të binte vetë së shpejti.
“Nëse një vend dëshiron të dërgojë pak naftë në Kubë tani, nuk kam asnjë problem me këtë, qoftë Rusia apo jo”, ka thënë Trumpi.
“Kuba ka mbaruar. Ata kanë një regjim të keq. Kanë një udhëheqje shumë të keqe dhe të korruptuar, dhe nëse marrin apo jo një anije me naftë, nuk do të bëjë ndryshim”, ka shtuar ai.
“Do të preferoja që të lejohej, qoftë Rusia apo kushdo tjetër, sepse njerëzit kanë nevojë për ngrohje, ftohje dhe gjëra të tjera të nevojshme.”
Ndërsa shprehu shqetësim për popullin kuban, Trumpi ka bërë gjithashtu një sërë deklaratash kërcënuese ndaj qeverisë së Kubës dhe ka thënë se do t’i kushtojë më shumë vëmendje këtij vendi, i cili ndodhet vetëm 150 km larg brigjeve të SHBA-së, pasi të merret me Iranin.