Botë

Trumpi kërkon anulimin e gjyqit për korrupsion ndaj Netanyahut

Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën i ka bërë thirrje Izraelit të falë kryeministrin Benjamin Netanyahu ose të anulojë gjyqin e tij për korrupsion, duke thënë se SHBA-ja do ta shpëtonte atë ashtu siç ka bërë me vendin e tij.

Netanyahu është paditur në vitin 2019 në Izrael me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit,  por të gjitha këto ai i mohon. Gjykimi ka filluar në vitin 2020 dhe përfshin tre çështje penale. Ai është deklaruar i pafajshëm, raporton Reuters.

"Gjyqi i Bibi Netanyahut duhet të anulohet, menjëherë, ose t'i jepet një falje një Heroi të Madh, i cili ka bërë kaq shumë për shtetin e Izraelit", ka shkruar Trump në Truth Social, duke shtuar se kishte mësuar se Netanyahu do të paraqitej në gjykatë të hënën.

Mediat izraelite kanë raportuar se marrja në pyetje e Netanyahut që ka nisur më 3 qershor në një gjykatë në Tel Aviv pritej të zgjaste rreth një vit për t'u përfunduar.

Presidenti izraelit, Issac Herzog ka fuqinë për të falur Netanyahun, por është cituar nga mediat izraelite të ketë thënë se një falje "nuk është aktualisht në tryezë". Ai ka thënë gjithashtu se "nuk është bërë asnjë kërkesë e tillë", sipas raportimeve.

Trump e ka lavdëruar Netanyahun si një "luftëtar", por ka thënë gjithashtu në postimin e tij se “ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që shpëtuan Izraelin dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të shpëtojnë Bibi Netanyahun".

Kjo dukej të ishte një referencë për përfshirjen dhe mbështetjen e SHBA-së për sulmet izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit.

Nuk është e qartë nëse Trumpi donte të thoshte se SHBA-ja mund të bënte diçka për të ndihmuar Netanyahun në betejën e tij ligjore.

Presidenti republikan e ka përshkruar çështjen kundër udhëheqësit izraelit si një "gjueti shtrigash", një term që Trumpi e ka përdorur shpesh për përpjekjet e SHBA-së për ta ndjekur penalisht.