Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gati një orë më vonë se që kishte paralajmëruar u paraqit në konferencë për media të martën me një dosje të madhe dokumentesh që ai i quan “listë të arritjeve të tij” në 1 vjetorin e mandatit të tij të dytë.
Trumpi ka folur kryesisht për politikat e tij anti-imigracion. Ai ka treguar fotografi të disa të arrestuarve në Minnesota, duke pretenduar se “janë të huaj ilegalë kriminalë”.
Trump ka pretenduar se në Minnesota agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE) kanë ndaluar rreth 10 mijë persona pa dokumente, të cilët Trump i ka quajtur “kriminelë”.
Ai ka folur edhe për Renee Good që u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE-së në Minneapolis dy javë më parë.
“Është situatë shumë e rëndë, është e trishtueshme”, tha Trump.
Ai tha se u ndje tmerrshëm kur kuptoi se babai i Goodit ishte adhurues i tij.
Ai tha se agjentët ICE nganjëherë do të bëjnë gabime dhe të jenë tepër të ashpër ndaj njerëzve.
Në sallë para se Trump të fliste u shpërndanë kopje të një njoftimi për shtyp që po fliste “365 fitore në 365 ditë”.
Trump ka folur edhe për tarifat që kishte vendosur gjatë njëvjeçari të parë, duke thënë se ato kanë ngjallur fabrikën e Fordit në Michigan.
“Tarifat e bënë këtë...Kemi marrë qindra miliarda dollarë”, tha Trump.
Trump: Do ta zbuloni se sa larg do të shkoj për Grenlandën
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në konferencë për media është pyetur edhe për çështjen e Grenlandës.
Trump ka thënë se gjërat po shkojnë mjaft mirë dhe tha se ka shumë takime të planifikuara për këtë.
I pyetur se sa larg do të shkojë për ta marrë nën kontroll Grenlandën, Trump tha se “do ta zbuloni këtë”.
Ai ka thënë se po e presin me padurim në Zvicër. Trump do të marrë pjesë në Zvicër në Forumin e Davosit këtë javë.
Trump ka thënë se banorët e Grenlandës do të jenë të “emocionuar” që të jenë pjesë e SHBA-së.
I pyetur nëse është i përkushtuar që ta mbajë SHBA-në në NATO, Trumpi, ka thënë se ai gjithmonë ka pasur marrëdhënie të mira me shtetet aleate dhe se aleanca është shumë më e fortë që kur ai është kthyer në pushtet.
Trumpi thotë se askush s’ka bërë më tepër për NATO-n se ai, flet edhe për Bordin e Paqes
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se askush nuk ka bërë më tepër për NATO-n se ai.
“Mund ta pyesni sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për këtë”, tha Trump në konferencë për media. “Ne shpenzojmë shuma të jashtëzakonshme parash për NATO-n dhe e di që ne do t’u vijmë në ndihmë atyre, por sinqerisht vë në pikëpyetje nëse ata do të vinin në ndihmën tonë”.
Trumpi në konferencë është pyetur edhe për Bordin e Paqes të krijuar nga ai, dhe nëse ai organ do t’i zëvendësonte Kombet e Bashkuara.
“Mundet”, tha Trump, duke thënë se OKB-ja nuk është shumë e dobishme.
Trumpi insiston se Norvegjia e ndan Çmimin Nobel për Paqe
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pasi ka numëruar disa luftëra që tha se i ka përfunduar, përfshirë atë mes Armenisë e Azerbajxhanit, insistoi se Norvegjia e kontrollon Çmimin Nobel për Paqe.
Ai tha në konferencë për media se fituesja e Nobelit për Paqe dhe liderja opozitare e Venezuelës, Maria Machado, i tha atij se ajo nuk e meriton këtë çmim dhe se ky çmim është i tij.
Javën e kaluar Machado ia dha medaljen e Nobelit presidentit të SHBA-së gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë. Trump e përgëzoi Machadon.
Trump tregon se Machado i tha: “Presidenti Trump e meriton këtë – ai i dha fund tetë luftërave”.
“Kam humbur respektin për Novegjinë”, tha Trump. Ai tha se nuk i ka dhënë fund luftërave për “Çmimin Nobel”
“Norvegjia ka kontroll të jashtëzakonshëm në Çmimin Nobel pavarësisht se çfarë thotë”, tha Trump.
Çmimi Nobel ndahet nga Komiteti i Nobelit që është një komitet i pavarur dhe nuk ndahet nga Qeveria e Norvegjisë.