Botë

Trumpi do të diskutojë planin e ri të paqes në takimin me Netanyahun

Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të diskutojë planin e ri të paqes për t'i dhënë fund luftës Izrael-Gaza, gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën.

Trumpi ka folur për perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje, duke u thënë gazetarëve të premten se mendon se do të kete një marrëveshje. 

Por Netanyahu ka deklaruar  të dielën se "nuk është finalizuar ende", ndërsa Hamasi ka thënë se nuk i ishte dërguar zyrtarisht propozimi.

Sipas kopjeve të rrjedhura të planit, të publikuara nga mediat amerikane dhe izraelite, ai parasheh lirimin e të gjithë pengjeve brenda 48 orëve nga konfirmimi i marrëveshjes. Pasi të kthehen ata, Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm.

Anëtarëve të Hamasit që angazhohen për paqe do t'u ofrohet amnisti dhe kalim i sigurt nga Gaza, teksa grupi nuk do të ketë asnjë rol në të ardhmen në territor. Të gjitha strukturat ushtarake të Hamasit do të shkatërrohen.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) do të tërhiqen gradualisht nga Rripi dhe Gaza do të qeveriset nga një qeveri e përkohshme kalimtare.

Plani duket se përbën një ndryshim të rëndësishëm të qëndrimit nga administrata Trump, e cila më parë ka mbështetur zhvendosjen e të gjithë popullsisë së Gazës prej 2.1 milionë banorësh dhe rindërtimin e Gazës në një "rivierë" në pronësi të SHBA-së.