Botë

Trump: Zelensky s’duhet ta bombardojë Moskën

tr zl

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka bërë thirrje homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të mos e sulmojë Moskën në asnjë mënyrë, ka shkruar The Guardian.

Trumpi e bëri këtë deklaratë menjëherë pasi gazeta britanike “Financial Times” pati raportuar se ai i pati bërë pyetje Zelenskyt nëse mund ta bombardonte Moskën dhe se në mënyrë private e kishte stimuluar Ukrainën të përshkallëzonte sulmet në thellësi të territorit rus.

Kur u pyet nga gazetarët nëse kishte ndërmend ta furnizonte Ukrainën me armë që kanë kapacitet për të sulmuar qytetet kryesore ruse, presidenti amerikan u përgjigj duke thënë se SHBA-ja nuk po e kërkon fare një gjë të tillë.

E zyrtarët ukrainas janë ende në pritje të detajeve të mëtejshme për pajisjet ushtarake të premtuara nga Trumpi, mes pasigurive se cili është numri i saktë i sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot që do të dërgohen.

Të hënën, shefi i Shtëpisë së Bardhë pati njoftuar se një vend i paidentifikuar ishte gati të siguronte menjëherë “17 sisteme Patriot”. Sipas raportimeve, besohet se Ukraina zotëron të paktën gjashtë “bateri” funksionale të mbrojtjes ajrore Patriot – sistem ky i bazuar në kamionë që përfshijnë radarë dhe raketahedhës.

Disa vende evropiane kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të blerë armë amerikane për Ukrainën, krahas planit të parashtruar nga Trumpi, porse ende nuk e dinë saktësisht çfarë po u kërkohet.

Zyrtarë të Washingtonit kanë sugjeruar që vendet evropiane do të japin një pjesë të stokut të tyre aktual të armëve për Ukrainën dhe më pas do të blejnë zëvendësime nga SHBA-ja.