Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se e enjtja është afati i duhur deri në të cilin Ukraina duhet të pranojë planin e propozuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në këtë shtet.
“Kam pasur shumë afate, por nëse gjërat ecin mirë, ju i zgjatni ato. Por e enjtja mendojmë se është koha e duhur”, ka thënë ai në një intervistë për radion “Fox News”.
Një ditë më parë u raportua për një plan të heshtur të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. E të premten u publikuan 28 pikat që përfshinin lëshime territoriale të Ukrainës dhe që ato të njihen edhe nga SHBA-ja si territore ruse, shmangie të anëtarësimit në NATO dhe amnisti për veprimet e palëve gjatë luftës.
Më herët gjatë ditës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një video drejtuar popullit ka paralajmëruar ukrainasit se shteti gjendet në “momentet më të vështira në histori” dhe se do ta gjejë veten përballë një zgjedhje të vështirë “ose të humbë dinjitetin, ose rrezikun e humbjes së një partneri kyç”. Pra ose t’i pranojë 28 pikat e propozuara nga SHBA-ja ose “do të përballet me një dimër ekstremisht të vështirë”.