Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se ka zhvilluar biseda me liderët e Kamboxhias dhe Tajlandës, ndërsa të dy vendet po kërkojnë “armëpushim të menjëhershëm” pas luftimeve në kufi.
Në fillim të një vizite private në fushat e tij të golfit në Skoci, presidenti i SHBA-së shkroi në “Truth Social” se të dyja shtetet “janë pajtuar të takohen menjëherë për të arritur shpejt marrëveshje për armëpushim dhe, në fund, PAQ*E!”.
Ai shtoi se pret të rifillojë bisedimet tregtare me Kamboxhian dhe Tajlandën, por theksoi se nuk është e përshtatshme që këto negociata të zhvillohen “derisa të ndalen LUFTIMET”.
Që nga shpërthimi i konfliktit më 24 korrik, të paktën 33 ushtarë dhe civilë kanë humbur jetën, ndërsa mijëra shtetas tajlandezë dhe kamboxhianë janë zhvendosur.
Ndërhyrja e Trumpit vjen një javë para se të hyjnë në fuqi tarifat amerikane për Kamboxhian dhe Tajlandën. Nga data 1 gusht, bizneset amerikane që importojnë mallra nga këto dy vende do të duhet të paguajnë një taksë prej 36%, përveç nëse arrihet marrëveshje paraprake.