Botë

Trump thotë se SHBA-ja do të intervenojë në Grenlandë “i pëlqen a s’i pëlqen asaj”

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka ripërsëritur kërcënimet e tij për marrjen e Grenlandës, duke thënë se SHBA-ja "do të bëjë diçka atje, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo".

Ai ka theksuar se qoftë në mënyrë të lehtë apo të vështirë, SHBA-ja do të bëjë diçka. 

"Nëse ne nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta marrin Grenlandën. Dhe nuk do ta kemi Rusinë ose Kinën si fqinj", u ka thënë ai gazetarëve, raportoi Guardian.

Komentet e fundit të Trumpit vijnë mes tensioneve në rritje midis SHBA-së dhe aleatëve të saj të NATO-s, përfshirë Danimarkën, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të administratës së tij për të marrë kontrollin e territorit. Qëndrimi i Trumpit është refuzuar ashpër nga Danimarka dhe Grenlanda.

Pavarësisht kritikave nga kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cila kohët e fundit tha se një sulm i SHBA-së ndaj Grenlandës do të thoshte fundi i “NATO-s dhe për rrjedhojë i sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore”, Trump ka vazhduar të këmbëngulë se e mbështet aleancën.

“Nëse nuk do të isha unë, nuk do të kishit një NATO tani”, ka thënë Trumpi të premten. “Por ne nuk do të lejojmë Rusinë ose Kinën të pushtojnë Grenlandën, dhe kjo është ajo që do të ndodhë nëse nuk e bëjmë”.