Botë

Trump: Shumë zor që të arrihet marrëveshje me presidentin e Kinës

Donald Trump Xi Jinping

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se është shumë e vështirë të arrihet marrëveshje tregtare me homologun e tij kinez, Xi Jinping, ka raportuar BBC.

“Më pëlqen presidenti Xi i Kinës, gjithmonë më ka pëlqyer, dhe gjithmonë do të më pëlqejë. Por ai është shumë i ashpër dhe jashtëzakonisht i zorshëm për të arritur një marrëveshje me të!!!”, ka shkruar Trump në platformën sociale “Truth Social”.

Shtëpia e Bardhë kishte sugjeruar të martën se të dy liderët mund të mbanin bisedime përgjatë kësaj jave. Pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, ka thënë se “parimet që udhëheqin zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-SHBA kanë qenë të qëndrueshme”.

Disa muaj më parë, Trumpi kishte vendosur tarifa prej 145 për qind ndaj shumicës së mallrave kineze që importohen në SHBA, teksa Kina ishte kundërpërgjigjur me tarifa prej 125 për qind mbi mallrat amerikane.

Në kuadër të marrëveshjes tregtare që ishte arritur në muajin maj, SHBA-ja kishte ulur tarifat karshi Kinës në 30%, ndërsa tarifat hakmarrëse të Kinës ishin ulur njëkohësisht në 10%.

Që prej atëherë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se po e shkelin marrëveshjen e dakorduar.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ishte shprehur javën e kaluar se bisedimet e reja tregtare me Kinën kanë “ngecur”, porse kishte theksuar se ato po vazhdojnë.