Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dyfishojnë tarifat e tanishme mbi importet e çelikut dhe aluminit prej 25 për qind në 50 për qind, duke filluar nga java e ardhshme.
Tek ka folur gjatë një tubimi në shtetin e Pensilvanisë, Trumpi është shprehur se vendimi do të ndihmonte në nxitjen e industrisë vendore të çelikut dhe furnizimit kombëtar, teksa do ta ulte varësinë ndaj Kinës, transmeton BBC.
Prodhimi i çelikut në Shtetet e Bashkuara ka qenë në rënie vitet e fundit, ndërsa Kina, India dhe Japonia janë shndërruar në prodhuesit kryesorë në botë.
Rreth një e katërta e çelikut të përdorur në SHBA importohet, ndërsa varësia e vendit ndaj çelikut meksikan dhe kanadez e ka shtyrë administratën e Trumpit të zbatojë politika të reja tregtare.
Njoftimi është bërë në kohën e një beteje gjyqësore mbi ligjshmërinë e disa prej tarifave universale të presidentit amerikan, të cilat u kthyen në fuqi përkohësisht nga një gjykatë e apelit, pas vendimit fillestar të Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare që e urdhëroi administratën t’i pezullojë ato.
Ndër të tjera, tarifat e tij mbi çelikun dhe aluminin nuk u prekën nga drama gjyqësore e ditëve të fundit.