Botë

Trump: Perspektiva e paqes mes Ukrainës e Rusisë do të dihet brenda dy javësh

Donald Trump - Volodymyr Zelensky

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të enjten se perspektiva për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë do të bëhet më e qartë “brenda dy javësh”. 

Duke folur për radioprogramin “The Todd Starnes Show”, Trump u pyet për luftën në Ukrainë. 

“Do të thojsha se brenda dy jave, do të dimë në një mënyrë ose në një tjetër. Pas kësaj, ndoshta do të duhet të ndjekim një taktikë tjetër, por do të shohim. Do ta dimë shumë shpejt”, ka thënë Trump. 

Trump gjatë një interviste në “ABC” të mërkurën ka lënë të kuptohet se po tërhiqet prë momentin nga organizimi i një takimi trepalësh mes tij, presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky. 

Ai ka thënë se faza tjetër në rrugën drejt marrëveshjes, mbetet një takim bilateral mes Putinit e Zelenskyt. 

E në një postim në “Truth Social”, Trump, i ka ofruar këshilla Ukrainës që të hidhet në ofensivë. 

“Është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh një luftë pa e sulmuar shtetin e pushtuesit. Është sikur një ekip i madh në sport që ka një mbrojtje fantastike, por nuk lejohet të luajë në sulm. Nuk ka gjasa të fitojë! Kështu është edhe me Ukrainën e Rusinë”, ka shkruar Trump.