Botë

Trump i jep Hungarisë përjashtim njëvjeçar nga sanksionet për blerje të naftës ruse

Viktor Orban dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar Hungarinë nga sanksionet për shkak të blerjeve të vazhdueshme të naftës dhe gazit rus për një vit, konfirmoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për BBC-në.

Duke folur të premten gjatë vizitës së kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se një përjashtim ishte duke u shqyrtuar sepse është shumë e vështirë për Orbanin të marrë naftë dhe gaz nga zona të tjera.

Ky vendim vjen pasi SHBA-ja futi në listën e zezë dy nga kompanitë më të mëdha të naftës të Rusisë muajin e kaluar, duke kërcënuar me sanksione për ata që blejnë prej tyre. 

Pas takimit, ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó shkroi në X se SHBA i kishte dhënë Budapestit një përjashtim të plotë dhe të pakufizuar nga sanksionet mbi naftën dhe gazin. Ndërkaq, një zyrtar më vonë i tha BBC-së se ky përjashtim ishte i kufizuar në një vit. Vendimi i Trumpit shënon një fitore të madhe për Orbanin, i cili kishte thënë se sanksionet do të shkatërronin ekonominë e vendit të tij.