Botë

Trump: Është turp që India sulmoi Pakistanin, shpresoj që përfundon shpejt

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cilësoi tensionet në rritje mes Indisë dhe Pakistanit si “turp”, ndërsa sekretari i Shtetit Marco Rubio zhvilloi biseda me zyrtarë nga të dy vendet pas sulmeve ajrore indiane në territorin pakistanez dhe në rajonin e kontestuar të Kashmirit.

“Ky është turp. Sapo dëgjuam për të. Mendoj se njerëzit e kishin parandier se diçka do të ndodhte, duke pasur parasysh ngjarjet e kaluara. Ata kanë qenë në konflikt për një kohë shumë të gjatë. Shpresoj vetëm që gjithçka të përfundojë sa më shpejt”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi përmes një postimi në “X” se SHBA-ja po e monitoron nga afër situatën dhe se do të vazhdojë të angazhohet me partnerët e saj në rajon për të nxitur “zgjidhje paqësore”.

Sipas Departamentit të Shtetit, Rubio zhvilloi biseda me këshilltarët e sigurisë kombëtare të Indisë dhe Pakistanit, duke u kërkuar të dy palëve të mbajnë kanalet e komunikimit të hapura dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Ambasada e Indisë në Uashington bëri të ditur se Ajit Doval, këshilltari indian për sigurinë kombëtare, e ka informuar Rubion mbi operacionin ushtarak që u krye në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Gjatë ditëve të fundit, zyrtarët amerikanë kanë nxitur publikisht të dyja vendet që të ulin tensionet dhe të kërkojnë zgjidhje “të përgjegjshme dhe të qëndrueshme”.

Pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam, ku mbetën të vrarë 26 civilë indianë, përfshirë turistë, zyrtarët më të lartë amerikanë, përfshirë presidentin Trump, shprehën mbështetje për Indinë, megjithatë SHBA-ja nuk ka akuzuar drejtpërdrejt Pakistanin për përgjegjësi në këtë sulm.