Botë

Trump e Putin takohen sot në Alaskë, temë qendrore – lufta në Ukrainë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen sot në samitin historik që zhvillohet në Alaskë, ku temë qendrore do të jetë përfundimi i luftës në Ukrainë.

Gjatë udhëtimit të tij për në Alaskë, presidenti amerikan ka folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.

Ai ka thënë se Putini është i zgjuar dhe se ata kuptohen mirë me njëri-tjetrin.

“Putini është djalë i zgjuar dhe ne kuptoheni shumë mirë. Kemi respekt të ndërsjellë. Mendoj se do të dalë diçka nga ky takim. Vura re se ai po sjell edhe shumë biznesmenë nga Rusia, mirëpo nuk do të ketë biznes pa marrë fund lufta”, ka thënë Trump. (Detajet)

Takimi i së premtes, pjesë e të cilit nuk do të jetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, shihet si vendimtar për të ardhmen e Ukrainës, si dhe për synimet e Trumpit për arritjen e paqes.

Ky takim konsiderohet i rëndësishëm për përpjekjet e Putinit për ta riformuar pozitën e Rusisë në skenën botërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky ka deklaruar se është koha që lufta të përfundojë.

“Gjëja kyç është që ky takim duhet të hapë një rrugë reale drejt paqes së drejtë dhe diskutimit thelbësor midis liderëve brenda një formati trepalësh – Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pala ruse. Është koha t’i japim fund luftës, ndërsa hapat e nevojshëm duhet të bëhen nga Rusia. I kemi shpresat tek Amerika”, ka shkruar Zelensky. (Detajet)

Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se pala ruse shpreson që t’i vazhdojë “diskutimet e dobishme” edhe gjatë samitit.

“Ne kurrë nuk planifikojmë përpara. E dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Do ta paraqesim atë. Kemi arritur shumë gjëra edhe gjatë vizitave të Steve Witkoffit, i emëruar special nga Shtetet e Bashkuara për Lindjen e Mesme. Shpresoj që të vazhdojmë këtë bisedë shumë të dobishme”, ka thënë Lavrov.

Pjesë e delegacionit amerikan janë Marco Rubio, Sekretar i Shtetit, Scott Bessent, Sekretar i Thesarit, Howard Lutnick, Sekretar i Tregtisë, John Ratcliffe, Drejtor i CIA-s dhe Susie Wiles, Shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Atyre do t’u bashkohet gjithashtu një grup zyrtarësh të tjerë të lartë, përfshirë të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff dhe shefen e protokollit Monica Crowley.

Delegacioni rus do ta përfshijë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Andrey Belousov, ministrin e Financave Anton Siluanov, kreun e fondit sovran rus, Kirill Dmitriev dhe ish-ambasadorin e Rusisë në SHBA, Yuri Ushakov.

Udhëheqësit evropianë, të cilët kanë mbetur po ashtu jashtë bisedimeve, janë shprehur të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i cungojë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.

LEXO EDHE:

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

LIVE: Bota në pritje të takimit historik Trump-Putin