Punëtorët e varfër në Pakistan po bien pre e një rrjeti të organizuar që përfiton nga dëshpërimi dhe borxhet e tyre. Të bllokuar në një sistem skllavërie moderne, ata detyrohen të marrin vendime ekstreme për të mbijetuar, si ai për të shitur veshkat. Trafikantët i mashtrojnë me premtime të rreme dhe shpesh u japin më pak para se sa u premtohet. Edhe pasi shesin veshkat, shumica mbeten të zhytur në të njëjtin cikël varfërie dhe shfrytëzimi. Kjo praktikë është bërë aq e përhapur sa shumë e konsiderojnë si një realitet të zakonshëm në vend
Shafeeq Masih u përball me një zgjedhje të pamundur: të mbetej përgjithmonë i bllokuar nga borxhi që i detyrohej pronarit të furrës së tullave ku punonte, pak jashtë qytetit Lahore në Pakistan, apo të përpiqej ta shlyente duke shitur të vetmen gjë me vlerë që kishte: njërën nga veshkat e tij.
Pronari i furrës i bënte presion vazhdimit për ta shlyer borxhin, i cili sipas tij kishte arritur në 900.000 rupi (rreth 2,800 euro), por sado që punonte, borxhi vetëm rritej. Masih e dinte se pronari i manipulonte llogaritë, por thotë se: “çfarëdo që ata shkruajnë, ne nuk mund ta kundërshtojmë. Ata na shohin si skllevër. E ne, thjeshtë duhet të bindemi”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe fëmijë të cilët duhet ushqyer dhe prindër të moshuar për t’u kujdesur, Masih nuk shihte asnjë rrugëdalje. Kështu që, kur një i panjohur u shfaq në furrë dhe ia ofroi 400.000 rupi (rreth 1200 euro) për njërën nga veshkat, ai e pranoi, por me hezitim.
Pak më vonë, e futën në një veturë dhe i thanë të vendoste syze të mbuluara me shirit të zi. Teksa vetura ecte dhe rruga dukej e gjatë, ai ndjeu një rreze shprese. Ndoshta tani më në fund mund të shpëtonte nga borxhi dhe t’u siguronte fëmijëve një të ardhme më të mirë. Por, gjërat nuk shkuan kështu.
Kur u zgjua pas operacionit, ia dhanë 300.000 rupi (rreth 900 euro), jo 400.000 sa i ishin premtuar në fillim. Disa ditë më vonë, ende me dhimbje, u kthye në furrë dhe ia dorëzoi gjitha paratë pronarit.
“Shpresoja se do të ma rriste pagën ose do të më linte të lirë”, thotë Masih, por ai e dërgoi sërish në punë.
Dy vjet më vonë, Masih thotë se asgjë nuk ka ndryshuar, përveç faktit që ai nuk është më aq i fortë siç ishte më herët.
“Nuk mund të punoj shumë për shkak të dhimbjeve”, ka thënë ai, dhe kështu mezi arrin të prodhojë aq tulla si dikur. Dhe është po aq i zhytur në borxhe sa përpara se t’i merrej veshka.

“Të gjithë po e bëjnë këtë”
Është e paligjshme të blihet apo shitet një organ i trupit kudo në botë (me përjashtim të Iranit), gjë që e bën të vështirë përcaktimin e përmasave të këtij krimi. Por, Syed Ayaz Hussain, avokat i organizatës “Bonded Labour Liberation Front” në Pakistan, që prej më shumë se 35 vjetësh mbron të drejtat e punëtorëve të furrave, beson se mijëra punëtorë po detyrohen të shesin veshkat e tyre.
“Mund të gjesh punëtorë që kanë shitur një veshkë pothuajse në secilën furrë që e viziton”, thotë ai.
Gazeta “The Guardian” intervistoi shtatë viktima brenda një dite. Ata e përshkruan këtë praktikë si të zakonshme. “I gjithë vendi po e bën”, thotë njëri.
Ky është një krim që ka ndodhur për dekada. Nga ata që folën, njëri e kishte shitur veshkën para 20 vjetësh, ndërsa një tjetër verën e kaluar. Shumica u paguan mes 100.000 (300 euro) dhe 300.000 rupi (900 euro), por pothuajse të gjithë morën më pak nga sa u ishte premtuar në fillim.
Tregtia e veshkave të punëtorëve të furrave mund të konsiderohet një formë e trafikimit të qenieve njerëzore. Edhe shumica pranojnë t’i shesin veshkat, megjithatë vendimi vjen nga borxhet, varfëria dhe frika.
“Është e vështirë të japësh një pjesë të trupit, por nuk kishte rrugë tjetër”, thotë një punëtor. Sipas të drejtës ndërkombëtare, pëlqimi i viktimës nuk ka rëndësi nëse është përdorur forma e detyrimit, mashtrimi apo edhe shfrytëzimi i gjendjes së keqe financiare të tij.

“Pronarët e furrave janë bashkëpunëtorë me trafikantët”
Hussain, i cili ecën me vështirësi pasi thotë se është qëlluar në këmbë nga një pronar furre në vitin 1992, beson se disa pronarë janë të përfshirë dhe marrin pjesë nga fitimet. Sipas tij, modeli është gjithmonë i njëjtë: pronarët fillojnë të ushtrojnë presion ndaj një punëtori për borxhin, pastaj shfaqet një ndërmjetës që e fiton besimin dhe e bind atë ta shesë veshkën.
Tokat përreth Lahores janë të mbushura me mijëra furra tullash, të dallueshme nga oxhaqet e larta që nxjerrin tym në ajrin tashmë të ndotur. Rreth secilës, qindra punëtorë punojnë të përkulur, duke formuar baltën në kallëpe drejtkëndore dhe duke prodhuar tullë pas tulle. Të gjitha familjet punojnë, që nga gjyshërit e moshuar e deri të fëmijët deri në gjashtë vjeç, të mbuluar me baltë dhe pluhur. Kjo është një pamje që përsëritet në të gjithë Pakistanin, ku sipas disa vlerësimeve, midis 4 dhe 5 milionë njerëz punojnë në furrat e tullave.
Industria e furrave të tullave u ofron punëtorëve të varfër diçka që pak biznese të tjera e bëjnë: një parapagim mbi pagat e ardhshme. Por ajo që duket si përfitim, në fakt është një kurth.
“Këto parapagime rrallë dokumentohen, shpesh manipulohen qëllimisht dhe më pak kthehen në mjete për shfrytëzim dhe kontroll të zgjatur”, thuhet në një raport të fundit të Komisionit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Pakistan (NCHR). Kjo praktikë njihet gjerësisht si skllavëri për borxh, një formë moderne e skllavërisë.

Pronarët e furrave zakonisht ua mbajnë punëtorëve deri në gjysmën e pagës me arsyetimi për shlyerjen e borxhit, duke i lënë me vetëm 800 rupi apo rreth ( 2.49 euro) për çdo 1.000 tulla që prodhojnë. Një familje mund të prodhojë rreth 2.000 tulla në ditë. Ulje të tjera të tepërta të pagës bëhen për shpenzime si energjia elektrike që përdorin për kasollet e vogla ku jetojnë. Me paga kaq të ulëta, punëtorët detyrohen të marrin hua të tjera për t’i përballuar shpenzimet ditore dhe ato të jashtëzakonshme si trajtimet mjekësore apo dasmat.
Punëtorët gjithashtu pretendojnë se disa pronarë falsifikojnë llogaritë duke fryrë borxhet dhe duke nënvlerësuar numrin e tullave që ata prodhojnë, por ndihen të pafuqishëm për t’i kundërshtuar, pjesërisht sepse janë analfabetë dhe i përkasin kastave të ulëta ose grupeve minoritare si të krishterët.
Sistemi mbahet në këmbë përmes kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës, veçanërisht ndaj grave dhe “shpesh përshkallëzohet në dhunë të ashpër fizike me qëllim ndëshkimin, heshtjen dhe dominimin”, thotë NCHR-ja.
Kështu, pavarësisht viteve të punës së rëndë, huat e vogla fillestare shndërrohen në shuma të mëdha që janë të pamundura për t’u shlyer. Kur një punëtor vdes, këto borxhe u kalojnë fëmijëve të tij.
Fëmijët fillojnë të punojnë në furrat e tullave që në moshën gjashtëvjeçare dhe kanë shumë pak gjasa të largohen ndonjëherë nga ky sistem. Një nga arsyet kryesore që punëtorët japin për shitjen e veshkave është përpjekja për t’u siguruar një të ardhme më të mirë fëmijëve të tyre.

Borxhi që u rrit për 20 vjet
Kur Sania Bibi filloi të bënte tulla në moshën 10-vjeçare, familja e saj kishte vetëm 200.000 rupi borxh. Dyzet vjet më vonë, pronari i furrës u thotë se i detyrohen 3.5 milionë rupi.
Ashtu si Masih, edhe Bibi u kontaktuan nga një i panjohur që i ofroi para për njërën nga veshkat.
“Gjatë bisedës me të, ai më tregoi për shumë ëndrra që mund t’i realizoja. Por, mendimi im ishte vetëm që të dilja nga ky sistem. Mendoja se mund ta shlyeja borxhin dhe fëmijët e mi të shkonin në shkollë. Vendosa menjëherë”, thotë ajo.
I panjohuri i premtoi Bibit “një thes të madh me para”, por ajo mori vetëm 100.000 rupi.
“Më pas u pendova. Nuk duhej ta kisha bërë”, thotë ajo. “Jam në gjendjen e njëjtë, në të njëjtin vend. Asgjë nuk ka ndryshuar. Fëmijët e mi nuk e fituan lirinë, nuk munda t’ua jap. Zemra më është thyer”.