Botë

Tkurrja e ekonomisë - Trumpi u kërkon kohë pronarëve të kompanive të mëdha

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar më shumë kohë për ekonominë amerikane pasi ajo u tkurr për herë të parë në tre vjet, duke nxitur frikën e recesionit.

Trumpi ka thënë se shifra për tkurrje prej 0.3% është mashtruese sepse kompanitë kishin grumbulluar importe përpara vendosjes së tarifave nga ai, raporton BBC.

Trumpi, megjithatë, ka shtuar se janë premtuar 8 trilion dollarë investime të brendshme, për të cilat ai ka argumentuar se do të rivendosnin aftësinë e prodhimit amerikan.

Ekonomia amerikane është tkurrur me një normë vjetore prej 0.3%, ka njoftuar departamenti i tregtisë amerikane, një rënie e madhe pas rritjes prej 2.4% në tremujorin e mëparshëm.

Kjo vjen pasi Trumpi shënoi 100 ditë në detyrë, teksa sondazhet e opinionit tregojnë pakënaqësi publike për administrimin e tij ekonomik.

Duke folur të mërkurën pasdite në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë ku morën pjesë liderë biznesi, Trumpi ka fajësuar paraardhësin e tij demokrat, presidentin Joe Biden, për të dhënat zhgënjyese të produktit të brendshëm bruto.

"Kjo është ekonomia e Bidenit sepse ne e morëm kontrollin më 20 janar. Unë mendoj se ju duhet të na jepni pak kohë për të lëvizur”, është shprehur Trumpi.

Mirëpo kongresmeni Hakeem Jeffries, udhëheqës i pakicës së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i ka thënë Trumpit se kjo nuk është ekonomia e Joe Bidenit, por është ekonomia e tij.

“Është ekonomia e Trump, është një ekonomi e dështuar dhe populli amerikan e di këtë”, ka deklaruar ai.

Në ngjarjen e së mërkurës në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka mbrojtur investimet e planifikuara në teknologji, kujdes shëndetësor dhe infrastrukturë.

Trumpi ka vendosur taksa 10% për pothuajse të gjitha vendet që importojnë në SHBA, pasi njoftoi një pauzë 90-ditore të tarifave më të larta. Shuma e paguar nga këto vende mund të ndryshojë pas skadimit të periudhës në korrik.

Një tarifë tjetër prej 25% është vendosur për Meksikën dhe Kanadanë. Taksat ndaj Kinës, megjithatë, kanë çuar në një luftë tregtare gjithëpërfshirëse me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Trump ka vendosur taksa importi deri në 145% për mallrat kineze që vijnë në SHBA dhe Kina është kundërpërgjigjur me një taksë 125% për produktet amerikane.