Botë

Të paktën tre të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Gaza

Të shtënat izraelite kanë lënë të paktën tre palestinezë të vrarë në dy incidente të ndara në të gjithë enklavën, kanë bërë të ditur të dielën autoritetet lokale të shëndetësisë.

Tensionet atje po rriten për shkak të sulmeve të herëpashershme izraelite. 

Mjekët kanë thënë se një palestinez është vrarë në lagjen Tuffah në qytetin e Gazës, në një zonë nën kontrollin palestinez, ndërsa dy të tjerë janë vrarë në qytetin Bani Suhaila në lindje të Khan Younis, një zonë që Izraeli ende e mban të pushtuar. 

Luftimi është zbutur kryesisht që kur Izraeli dhe grupi militant palestinez Hamas ranë dakord për një armëpushim në tetor, pas dy vjetësh në luftë, por nuk është ndalur plotësisht.
Izraeli dhe Hamasi kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkeljet e marrëveshjes.

Një zyrtar i Hamasit i ka thënë Reuters të dielën se grupi u kërkoi ndërmjetësve të ndërhyjnë për të ndaluar "vrasjet e përditshme izraelite që synojnë të prishin marrëveshjen e armëpushimit".

Më shumë se 440 palestinezë, shumica e tyre civilë sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gazë, janë vrarë që nga armëpushimi, teksa Izraeli thotë se i janë vrarë tre ushtarë nga sulmet e Hamasit.