Të paktën shtatë persona kanë vdekur në protestat në Iran të nxitura nga përkeqësimi i kushteve ekonomike, në mesin e të cilëve janë forca të sigurisë dhe civilë.
Protestat janë më të mëdhatë në Iran që nga viti 2022, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini gjatë mbajtjes nga policia. Megjithatë, protestat aktuale nuk janë aq intensive dhe gjithëkombëtare si ato për Aminin.
Protestat më të dhunshme u bënë në Azna. Nga atje u shpërndanë video që tregonin objekte në flakë mes rrugëve dhe dëgjoheshin të shtëna armësh, raportoi AP.
Protestat nisën në Teheran më 28 dhjetor për shkak të kolapsimit të kursit të këmbimit të monedhës kombëtare kundrejt dollarit amerikan dhe inflacioni arriti në 52 për qind. Protestat më pas u përhapës në disa rajone të tjera.
Gjatë ditës, presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar autoritetet e Iranit se Washingtoni do të intervenojë po që se i vrasin protestuesit.
E, një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, iu përgjigj menjëherë duke thënë se “duhet të jetë i kujdesshëm”. Sipas tij, po që se Trumpi intervenon do të shkaktohej kaos në të gjithë Lindjen e Mesme.