Të paktën 15 palestinezë kanë humbur jetën, përfshirë tetë gra dhe një fëmijë, si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës gjatë orëve të hershme të së premtes, teksa 20 të tjerë u vranë nga të shtënat e Ushtrisë izraelite afër pikave të shpërndarjes së ndihmave, kanë njoftuar zyrtarët shëndetësorë lokalë në spitalin Nasser.
Zhvillimet e fundit kanë ndodhur në kohën kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftimeve kanë përparuar, ka raportuar The Guardian.
Zyrtarë të grupit militant palestinez, Hamas, kanë thënë të premten se po mbajnë bisedime me liderë të klaneve të tjera palestineze rreth planit të armëpushimit të dorëzuar nga ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit.
Në Ministrinë e Shëndetësisë në Gazë kanë bërë të ditur se numri i palestinezëve të vrarë në territorin e enklavës tashmë ka tejkaluar 57,000.
Ministria nuk e bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve të Hamasit, porse ka thënë se pjesa dërrmuese e viktimave janë gra dhe fëmijë.
Mes tjerash, Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar të premten se ka evidentuar të paktën 613 të vrarë nëpër pikat e shpërndarjes së ndihmave të administruara nga Fondi Humanitar i Gazës (FHG), organizatë e sapokrijuar amerikane me mbështetjen e Izraelit, si dhe afër autokolonave humanitare.
“Ne kemi regjistruar 613 vrasje, si në pikat e FHG-së ashtu edhe pranë autokolonave humanitare – kjo është shifra deri më 27 qershor. Që atëherë ... kanë ndodhur incidente të tjera”, ka thënë zëdhënësja e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, para gazetarëve në Gjenevë.