Botë

Të paktën 32 të vrarë nga ushtria izraelite afër pikave të ndihmës në Gazë

Të paktën 32 të vrarë nga ushtria izraelite afër pikave të ndihmës në Gazë

Të paktën 32 persona u vranë nga sulmet izraelite në mëngjesin e së shtunës në Gazë, ndërsa po përpiqeshin të afroheshin te një vend ku shpërndahen ndihma humanitare,  ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Gazë dhe spitali Nasser në Khan Younis.

Ushtria izraelite raportoi se ka pasur të shtëna paralajmëruese ndaj disa personave që iu afruan trupave të saj, pasi nuk i dëgjuan thirrjet për t’u ndalur, rreth një kilometër larg nga një pikë shpërndarjeje ndihmash e cila nuk ishte aktive në atë moment, raporton Reuters.

Banori i Gazës, Mohammed al-Khalidi, i cili ndodhej në grupin që po i afrohej zonës, tha se nuk kishte dëgjuar asnjë paralajmërim përpara se të shtënat të fillonin.

“Menduam se kishin ardhur për të na organizuar për marrjen e ndihmave, por papritur pamë makina nga njëra anë dhe tanke nga ana tjetër, dhe filluan të qëllonin mbi ne”, tha ai.

Fondi Humanitar i Gazës (GHF), organizatë e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që menaxhon shpërndarjen e ndihmave, deklaroi se nuk kishte pasur incidente apo viktima në zonat e tij të shtunën dhe se ka paralajmëruar vazhdimisht banorët që të mos shkojnë te pikat e shpërndarjes gjatë natës.

“Aktiviteti i raportuar i IDF-së që solli viktima ndodhi disa orë përpara hapjes së pikave tona dhe, sipas informacionit tonë, shumica e viktimave ndodhën disa kilometra larg nga pika më e afërt e GHF-së”, thuhet në deklaratën e fondit.

Ndërkohë, zyrtarët shëndetësorë raportuan se të paktën 18 persona të tjerë u vranë nga sulme të tjera izraelite në zona të ndryshme të Gazës gjatë së shtunës. Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur depo armësh të militantëve dhe pozicione të snajperëve në disa vende të enklavës.

Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin, duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyen 251 të tjerë.

Fushata ushtarake izraelite kundër Hamasit ka vrarë që atëherë rreth 58.000 palestinezë, shumica prej tyre civilë sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.