Botë

Të paktën 11 të vrarë nga një sulm i armatosur në Meksikë

Meksike

Foto: Associated Press

Të paktën 11 persona kanë mbetur të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj banorëve vendas që ishin mbledhur në një fushë futbolli në qytetin Salamanca, në Meksikën qendrore, të dielën.

Dëshmitarët kanë thënë se burrat e armatosur mbërritën në terren me disa automjete dhe qëlluan ndaj njerëzve të mbledhur aty, në dukje pa dallim, raporton BBC.

Të paktën një grua dhe një fëmijë janë në mesin e viktimave. 

Motivi i sulmit ende nuk është i qartë. Guanajuato, shteti ku ndodhet Salamanca, ka regjistruar numrin më të lartë të vrasjeve në të gjithë Meksikën vitin e kaluar.

Banorët përreth raportuan se dëgjuan të paktën 100 të shtëna teksa sulmuesit hapën zjarr në fushën Cabanas, në lagjen Loma de Flores.

Forcat e sigurisë lokale dhe federale po hetojnë sulmin vdekjeprurës.

Ngjarja ka ndodhur vetëm një ditë pas disa incidenteve të tjera të dhunshme në qytet, ku gjithsej pesë burra u vranë dhe një tjetër u rrëmbye.

Guanajuato ka përjetuar rritje të dhunës nga disa banda që merren me vjedhjen e naftës dhe karburanteve, si edhe me aktivitete të tjera kriminale, përfshirë trafikun e drogës dhe zhvatjen.