Stuhia më e fuqishme në botë këtë vit po i afrohet Xhamajkës dhe po lëviz me shpejtësi në verilindje përmes Detit të Karaibeve, ka raportuar të hënën BBC-ja.
Të paktën tre persona kanë vdekur gjatë afrimit të stuhisë në Xhamajkë, ndërsa raportohet edhe për katër të tjerë në vende të tjera në Karaibe, si Haiti dhe Republika Dominikane.
Meteorologët amerikanë kanë paralajmëruar për kushte "katastrofike dhe kërcënuese për jetën".
Uragani Melissa, i cili pritet të arrijë në tokë të martën me shpejtësi ere deri në 282 km/h, është stuhi e kategorisë së pesë – fuqia maksimale.
Nuk dihet saktësisht se kur do të arrijë stuhia në bregdet.
Harta e publikuar nga BBC-ja tregon se stuhia parashihet të arrijë në jug të Xhamajkës në orën 07:00 sipas orës lokale, apo në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Më pas pritet të lëvizë në verilindje drejt Kubës deri në orën 19:00 të mbrëmjes së sotme (në orën 01:00 sipas orës lokale në Kosovë) si stuhi e kategorisë katër, përpara se të vazhdojë drejt Bahamas rreth orës 19:00 të mërkurën si stuhi e kategorisë dy.

Ekspertët paralajmërojnë se ritmi i ngadaltë i uraganit mund të sjellë shira të rrëmbyeshëm të zgjatur në disa zona, duke rritur rrezikun e përmbytjeve vdekjeprurëse dhe rrëshqitjeve të dheut.
Për Haitin, kushtet e stuhive tropikale do të fillojnë gjithashtu gjatë së hënës.