Ukraina dhe Rusia kanë nisur të hënën në Stamboll rundin e dytë të bisedimeve të paqes. Muajin e kaluar, të dy vendet kanë mbajtur rundin e parë të bisedimeve që nuk solli ndonjë përparim, por u arrit marrëveshje për shkëmbimin e personave që po mbaheshin robër në të dyja vendet. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se “Moska po bën gjithçka që takimi i radhës të mos jetë frytdhënës” duke shtuar se Rusia nuk ka paraqitur propozimet e saja para takimit. Bisedimet vijnë pasi Ukraina lëshoi 117 dronë në bazat ajrore ruse, i cili u konsiderua si një nga sulmet më të mëdha të Ukrainës në Rusi. Por një natë para bisedimeve, Rusia ka sulmuar Ukrainën me 80 dronë, kanë thënë forcat ajrore të Ukrainës.
Ukraina propozon rundin e ardhshëm të bisedimeve me Rusinë para fundit të qershorit
Ukraina ka propozuar të mbajë një rund të ardhshëm bisedimesh me Rusinë para fundit të qershorit.
"Ne i propozojmë palës ruse të mbajë një takim deri në fund të këtij muaji, nga 20 deri më 30 qershor", ka thënë ministri ukrainas i mbrojtjes, Rustem Umerov pas bisedimeve të së hënës në Stamboll.
Ai ka shtuar se delegacionet duhet të përpiqen të bien dakord për një takim midis Volodymyr Zelenskyt dhe Vladimir Putinit.
Zelensky muajin e kaluar e ka sfiduar Putinin të takohej personalisht me të në Stamboll, pasi presidenti rus hodhi poshtë një kërkesë nga Ukraina dhe aleatët evropianë për të nënshkruar një armëpushim 30-ditor.
Putin nuk është paraqitur. Delegacioni i Rusisë kryesohej nga ndihmësi presidencial, Vladimir Medinsky, i cili udhëhoqi bisedimet e sotme për Moskën.
Ukraina dhe Rusia flasin për një takim Zelensky-Trump-Putin në fund të qershorit
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, ka thënë pas takimit se Ukraina ka marrë memorandumin e Rusisë, duke shtuar se delegacionit do t'i duhet një javë "për të vendosur për hapat e mëtejshëm".
Ai ka konfirmyar se të dy palët kanë "rënë dakord të shkëmbejnë të gjithë të plagosurit rëndë ose të sëmurët, apo ata nën moshën 18 vjeç". Trupat e ushtarëve të vdekur gjithashtu do të kthehen.
Umerov ka shtuar se ata kanë diskutuar gjithashtu një takim të mundshëm midis Zelenskyt dhe Putinit, ndoshta duke përfshirë edhe Trumpin në fund të muajit.
"Ne po bëjmë thirrje për punë të vërtetë për t'i dhënë fund kësaj lufte, armëpushim, veprime humanitare, takim udhëheqësish. Nëse Rusia është serioze, do të bjerë dakord. Nëse jo, duhet të pasojnë sanksionet", ka thënë ai.
Përfundon rundi i dytë i bisedimeve Ukrainë-Rusi në Stamboll
Rundi i dytë i bisedimeve midis Kievit dhe Moskës në Stamboll ka përfunduar.
Bisedimet kanë përfunduar një orë pasi kanë filluar, raporton The Guardian.
Pritej që të dy palët të diskutonin idetë e tyre se si duhet të duket një armëpushim i plotë dhe një rrugë më afatgjatë drejt paqes mes presionit nga presidenti Donald Trump, i cili ka thënë se SHBA-ja mund të braktisë rolin e saj si ndërmjetëse nëse nuk ka përparim.
Nuk dihen ende nëse palët janë pajtuar në ndonjë pikë në këtë rund.
Në rundin e parë më 16 maj, marrëveshja e vetme ishte për lirimin e 1.000 të burgosurve nga të dyja palët, proces që ka përfunduar para një jave.
Delegacionet mbërrijnë në Stamboll, nisin bisedimet Ukrainë-Rusi
Delegacionet e të dy vendeve ndërluftuese në Ukrainë, tashmë kanë arritur për bisedime në Pallatin Ciraga të Stambollit.
Pritësit, delegacioni turk, ishin të parët që mbërritën, të ndjekur nga rusët dhe ukrainasit rreth shtatë minuta më vonë, raporton BBC.
Bisedimet ishin planifikuar të fillonin në orën 12:00 me kohën lokale të Kosovës.
Nuk ka afat kohor se sa do të zgjasin, por rundi i mëparshëm që është mbajtur më 16 maj ka zgjatur më pak se dy orë.
Kreu i shërbimit të inteligjencës turke, drejtori i MIT, İbrahim Kalın, gjithashtu ka mbërritur në vendin e takimit.
Ukraina pritet t’ia paraqesë sot palës turke propozimet e saj për fundin e luftës më se 3-vjeçare.
Propozimet e Ukrainës për paqen në bisedimet e sotme me Rusinë
Agjencia e lajmeve Reuters ka parë tekstin e propozimeve të paqes që negociatorët ukrainas planifikojnë t'ia paraqesin palës ruse në bisedimet e paqes, që pritet të zhvillohen sot në Stamboll.
Teksti i dokumentit ukrainas është publikuar më poshtë i plotë dhe pa ndryshime.
Korniza e negociatave Ukrainë-Rusi
I. Parimet kryesore të Marrëveshjes dhe Procesit të Negocimit:
• Armëpushimi i plotë dhe i pakushtëzuar në qiell, në tokë dhe në det si një sfond dhe parakusht i domosdoshëm për negociatat e paqes.
• Masat e ndërtimit të besimit – adresimi i çështjeve humanitare: kthimi i pakushtëzuar i të gjithë të dëbuarve dhe të zhvendosurve ilegalisht.
• Fëmijët ukrainas; shkëmbimi i të gjithë të burgosurve (parimi "të gjithë për të gjithë"). Lirimi nga Rusia i të gjithë pengjeve civile.
• Mospërsëritja e agresionit: Qëllimi i negociatave është rivendosja e një baze të përhershme për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme dhe për të siguruar që agresioni të mos përsëritet.
• Garancitë e sigurisë dhe angazhimi i komunitetit ndërkombëtar: Ukraina duhet të marrë garanci të forta sigurie. Palët do të ftojnë komunitetin ndërkombëtar të marrë pjesë në negociata dhe të japin garanci për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve.
• Sovraniteti: Ukraina nuk është e detyruar të jetë neutrale. Ajo mund të zgjedhë të jetë pjesë e komunitetit euroatlantik dhe të shkojë drejt anëtarësimit në BE. Anëtarësimi i Ukrainës në NATO varet nga konsensusi brenda Aleancës. Asnjë kufizim nuk mund të vendoset për numrin, vendosjen ose parametrat e tjerë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, si dhe për vendosjen e trupave të shteteve të huaja mike në territorin e Ukrainës.
• Çështjet territoriale: Përfitimet territoriale të bëra nga Rusia që nga shkurti 2014 nuk njihen nga komuniteti ndërkombëtar. Linja e kontaktit është pika fillestare e negociatave. Çështjet e territorit diskutohen vetëm pas një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar.
• Sanksionet: Disa sanksione mund t’i hiqen Rusisë, por në faza dhe vetëm gradualisht, me një mekanizëm për rifillimin e sanksioneve nëse është e nevojshme. Asetet sovrane të ngrira ruse përdoren për rindërtim ose mbeten të ngrira derisa të paguhen dëmshpërblimet.
• Zbatimi: Pajtimi për një udhërrëfyes të qartë, të balancuar dhe të arritshëm për zbatimin e marrëveshjeve.
II. Hapi tjetër – dakordimi për armëpushimin dhe agjendën e takimit të liderëve:
• Pas takimit në Stamboll, palët vazhdojnë bisedimet të cilat do të fokusohen në: (1) armëpushimin e plotë dhe të pakushtëzuar: modalitetet dhe monitorimi; (2) masat e ndërtimit të besimit; (3) përgatitjen, dakordimin për agjendë dhe strukturën e negociatave të liderëve të ardhshëm mbi temat kryesore.
• Negociatat do të zhvillohen me pjesëmarrjen e SHBA-së dhe Evropës.
III. Armëpushimi
• Armëpushimi i plotë dhe i pakushtëzuar në qiell, në tokë dhe në det të paktën për 30 ditë (me mundësi vazhdimi çdo 30 ditë) si një sfond dhe parakusht i nevojshëm për negociatat e paqes.
• Monitorimi i armëpushimit i udhëhequr nga SHBA-ja dhe i mbështetur nga vende të treta.
IV. Masat për ndërtimin e besimit
• Pas shkëmbimit të suksesshëm të të burgosurve pas bisedimeve të Stambollit, palët vazhdojnë procesin e shkëmbimit për të gjithë robërit e luftës (parimi "të gjithë për të gjithë").
• Marrëveshja për kthimin e pakushtëzuar nga Federata Ruse i të gjithë fëmijëve ukrainas të deportuar dhe të zhvendosur dhe lirimi nga Rusia e të gjithë të burgosurve civilë. Këto masa duhet të përfshijnë të gjitha kategoritë e personave të listuar, duke filluar nga shkurti 2014.
V. Takimi i liderëve
• Udhëheqësit e Ukrainës dhe Rusisë takohen për të rënë dakord mbi aspektet kryesore për zgjidhjen përfundimtare të paqes.
• Temat kryesore të marrëveshjes së paqes për t'u rënë dakord nga udhëheqësit:
1) Ndërprerja e përhershme dhe e plotë e armiqësive: kushtet, monitorimi, sanksionet për shkeljet
2) Garancitë e sigurisë dhe mospërsëritja e agresionit
3) Çështjet territoriale
4) Ekonomia, kompensimi, rindërtimi
5) Ndëshkimet për shkelje të marrëveshjeve
6) Përfundimi i marrëveshjes përfundimtare të paqes