Botë

Shtëpia e improvizuar, burimi i CIA-s e Forcat Speciale: Si u zhvillua operacioni për kapjen e Maduros

Nicolas Maduro

Fiks në orën 04:21 të shtunën në mëngjes, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në platformën e tij “Truth Social” se SHBA-ja ka kryer një mision të guximshëm për kapjen e presidentit venezuelas Nicolas Maduro dhe gruas së tij.

Lëvizja ishte befasuese, por siç ka raportuar “Reuters” me burime nga ngjarja, ajo ishte planifikuar si një prej operacioneve më komplekse dhe në të është punuar për muaj të tërë, deri në detajet më të hollësishme.

Trupat më elite amerikane, përfshirë Delta Force, krijuan një replikë fiks si të shtëpisë së Maduros dhe u stërvitën se si do të kalonin në rezidencën e fortifikuar.

CIA kishte një ekip të vogël në terren që nga muaji gusht dhe që ishte në gjendje të ofronte informacione mbi modelin e jetesës që bënte Maduro. Kjo sipas burimeve, e lehtësoi kapjen e tij.

Dy burime të tjera i kanë thënë “Reutersit” se agjencia e inteligjencës kishte edhe një aset afër Maduros e që ia përcillte lëvizjet dhe e dinte vendndodhjen e saktë në kohën kur operacioni zhvillohej.

Kur të gjitha copëzat u përshtatën, Trumpi e miratoi operacionin katër ditë më parë. Megjithatë, planifikuesit ushtarakë sugjeruan që të pritet edhe pak për mot më të mirë.

Në orën 22:46, sipas kohës amerikane, të premten Trumpi dha miratimin final për të ecur me atë që njihej si Operacioni “Vendosmëria Absolute”, siç ka bërë të ditur shtatmadhori amerikan, Dan Caine në konferencën për media.

Trumpi, i rrethuar me këshilltarët e tij në rezidencën në Mar-a-Lago në Florida, e pa direkt të gjithë aksionin.

Mënyra se si u zhvillua aksioni që zgjati disa orë, bazohet në intervista me katër burime të afërta me çështjen dhe detaje që vetë Trumpi i bëri të ditura.

“Kam përjetuar shumë gjëra të tilla të mira, por kurrë si kjo”, i ka thënë Trumpi “Fox Newsit” pak orë pasi misioni u krye me sukses.

Pentagoni ka mbikëqyrur grumbullimin masiv ushtarak të forcave në Karaibe, duke çuar një aeroplanmbajtëse, 11 anije luftarake dhe dhjetëra avionë F-35. Në total, më shumë se 15 mijë trupa janë dërguar në rajon në atë që nga amerikanët është përshkruar si operacion kundër drogës.

Sipas një prej burimeve, këshilltari i Trumpit, Stephen Miller, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ai i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, formuan shtab kryesor që punonte për disa muaj me takime e telefonata të rregullta – ndonjëherë të përditshme. Ata shpesh takoheshin edhe me presidentin.

Të premten në mbrëmje dhe herët të shtunën, Trumpi e këshilltarët e tij u mblodhën sërish bashkë, teksa aeroplanët amerikanë u ngjitën e nisën sulmin kundër objektivave brenda dhe afër Karakasit, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, siç ka bërë të ditur një zyrtar ushtarak amerikan.

Caine ka thënë se më shumë se 150 aeroplanë luftarakë u lëshuan nga 20 baza në Hemisferën Perëndimore, përfshirë ata F-35, F-22 dhe bombarduesit B-1.

“Kishim avionë luftarakë për çfarëdo situate të mundshme”, ka thënë Trumpi.

Burimet i kanë thënë “Reutersit” se Pentagoni gjatë kohës ka lëvizur me kujdes në rajon duke furnizuar me karburant avionët cisterna, dronët e avionët e specializuar në bllokime elektronike.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sulmet goditën caqet ushtarake. Fotografitë e “Reutersit” në bazën ajrore La Carlota në Karakas kanë treguar automjete të shkatërruara.

Teksa nisën sulmet ajrore, Forcat Speciale amerikane hynë fuqishëm në Karakas me armatim të rëndë, përfshirë pajisjet për thyerjen e dyerve të çelikta në lokacionin e Maduros.

Rreth orës 1 të natës sipas kohës lokale të shtunën, sipas Cainet, trupat kishin mbërritur te kompleksi ku ishte Maduro. Njëri nga helikopterët u godit, por ende ishte në gjendje të fluturonte.

Videot në rrjete sociale kanë treguar disa helikopterë që fluturonin në lartësi të ulët.

Sapo iu afruan shtëpisë së Madruos, trupat, bashkë me agjentët e FBI-së, hynë brenda. E Trumpi këtë rezidencë e përshkroi si “fortifikatë shumë të mbrojtur”.

“Ata vetëm hynë brenda dhe hynë në vene që nuk ishin lehtë për t’u thyer, si dyer të çelikta, që ishin vendosur pikërisht për këtë arsye”, ka thënë Trumpi. “Ata hynë për pak sekonda”.

Sapo trupat hynë në shtëpinë e sigurisë, sipas Cainet, Maduro dhe gruaja e tij u dorëzuan. Trumpi ka thënë se lideri venezuelas madje është përpjekur të hynte në një dhomë të sigurt, por e ka pasur të pamundur të mbyllte derën.

“Ai u sulmua aq shpejt sa që s’arriti as të hynte”, ka thënë Trumpi.

Disa trup amerikane u goditën, por asnjë nuk vdiq, sipas tij.

Teksa operacioni po zhvillohej, Rubio nisi t’i informonte ligjvënësit se çka po ndodhte. Njoftimet nisën vetëm pasi operacioni filloi dhe jo më herët, siç është zakon për ligjvënësit që janë në rolin e mbikëqyrësve, sipas zyrtarëve që kanë folur për “Reuters”.

Teksa trupat u larguan nga territori venezuelas, Caine ka thënë, se ata u përfshinë në disa angazhime “vetëmbrojtëse”. Deri në orën 3:20 të mëngjesit, helikopterët ishin mbi ujë, e Maduro dhe gruaja e tij në bord.

Gati shtatë orë pasi Trumpi njoftoi për operacionin në “Truth Social” ishte koha për një tjetër postim. Këtë herë ishte një fotografi e liderit venezuelas me sytë e mbyllur e i prangosur.

“Nicolas Maduro në bordin e USS Iwo Jima”, shkroi ai duke iu referuar anijes sulmuese.

Lexo përditësimet tjera
SHBA-ja godet Venezuelën dhe kap Maduron

SHBA-ja godet Venezuelën dhe kap Maduron

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është arrestuar dhe nxjerrë nga Venezuela në një aksion në shkallë...