Mes urisë, papunësisë dhe mungesës së ndihmave humanitare, shumë familje afgane, për të mbijetuar, po përballen me vendime të paimagjinueshme. Në provincën Ghor, disa prindër thonë se janë detyruar të shesin fëmijët e tyre për të siguruar ushqim apo trajtim mjekësor për pjesën tjetër të familjes
Ndërsa agimi zbardh mbi horizont, qindra burra mblidhen në një shesh të pluhurosur në Çaghçaran, kryeqyteti i provincës Ghor në Afganistan.
Ata rreshtohen buzë rrugës me shpresën se dikush do të vijë dhe do t’u ofrojë çfarëdo pune. Nga kjo varet nëse familjet e tyre do të kenë diçka për të ngrënë atë ditë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMegjithatë, shanset për të gjetur punë janë shumë të vogla.
45-vjeçari Juma Khan thotë se gjatë gjashtë javëve të fundit vetëm tri ditë ka gjetur punë, të cilat iu paguan nga 150 deri në 200 afganë në ditë (rreth 2.35–3.13 dollarë ose 1.76–2.34 funte).
“Fëmijët e mi kanë fjetur të uritur tri net me radhë. Gruaja ime qante, po ashtu edhe fëmijët. Prandaj iu luta një fqinji të më jepte pak para që të blija miell”, thotë ai.
“Jetoj me frikën se fëmijët e mi mund të vdesin nga uria”.
Historia e tij nuk është aspak e rrallë.
Sot në Afganistan, sipas OKB-së, tre në katër persona nuk janë në gjendje të përmbushin nevojat bazë të jetesës. Papunësia është e përhapur, sistemi shëndetësor po lufton për të mbijetuar dhe ndihma humanitare, që dikur siguronte minimumin jetik për miliona njerëz, është reduktuar në një pjesë shumë të vogël të asaj që ishte më parë.
Vendi po përballet tashmë me nivele rekord të urisë. Rreth 4.7 milionë njerëz - më shumë se një e dhjeta e popullsisë së Afganistanit - vlerësohet se janë vetëm një hap larg urisë ekstreme dhe zisë së bukës.
Provinca Ghor është një nga zonat më të goditura.
Burrat këtu janë të dëshpëruar.
“Mora një telefonatë ku më thanë se fëmijët e mi nuk kishin ngrënë prej dy ditësh”, thotë Rabani, me zërin që i dridhet nga emocionet.
“Mendova se duhej të vrisja veten. Por pastaj mendova: si do ta ndihmonte kjo familjen time? Prandaj jam këtu, duke kërkuar punë”.
Khwaja Ahmad mezi arrin të thotë disa fjalë para se të shpërthejë në lot.
“Po vdesim nga uria. Fëmijët e mi më të mëdhenj kanë vdekur, prandaj më duhet të punoj për të ushqyer familjen. Por jam plakur dhe askush nuk dëshiron të më japë punë”, thotë ai.
Kur një furrë buke pranë sheshit hapet, pronari shpërndan bukë të ftohtë mes turmës. Brenda pak sekondash, bukët copëtohen nga duart e burrave që përpiqen të kapin qoftë edhe një copë të vogël.
Papritur krijohet një tjetër rrëmujë. Një burrë me motoçikletë ndalon duke kërkuar vetëm një punëtor për të bartur tulla. Dhjetëra burra vrapojnë drejt tij, duke u shtyrë mes tyre për ta fituar atë mundësi.
Gjatë dy orëve që ekipi i BBC-së ishte aty, vetëm tre burra arritën të punësoheshin.
Në komunitetet përreth, shtëpi të varfra të shpërndara mbi kodra të zhveshura e të thata, nën hijen e majave me borë të vargmalit Siah Koh - ndikimi shkatërrues i papunësisë duket qartë.
“Jam i gatshëm t’i shes vajzat e mia”
Abdul Rashid Azimi e ftoi ekipin e BBC-së në shtëpinë e tij dhe sjell pranë dy fëmijët e tij, binjaket shtatëvjeçare Roqia dhe Rohila. Ai i mban fort pranë vetes, i vendosur të shpjegojë pse po përballet me zgjedhje të paimagjinueshme.
“Jam i gatshëm t’i shes vajzat e mia”, thotë ai mes lotësh. “Jam i varfër, i zhytur në borxhe dhe pa asnjë rrugëdalje”.
“Kthehem nga puna me buzë të thata, i uritur, i etur, i dëshpëruar dhe i hutuar. Fëmijët më afrohen dhe më thonë: ‘Baba, na jep pak bukë’. Por çfarë mund t’ju jap? Ku është puna?”
Abduli thotë se është i gatshëm t’i shesë vajzat e tij për martesë ose për punë shtëpiake.
“Nëse shes njërën nga vajzat, do të mund të ushqeja pjesën tjetër të familjes për të paktën katër vjet”, thotë ai.
Ai përqafon Rohilën dhe e puth ndërsa qan.
“Më copëtohet zemra, por kjo është e vetmja mënyrë”.
“Gjithçka që kemi për të ngrënë është bukë dhe ujë të nxehtë, as çaj nuk kemi”, thotë nëna e tyre, Kayhan.
Dy nga djemtë e saj adoleshentë punojnë duke lustruar këpucë në qendër të qytetit. Një tjetër mbledh mbeturina, të cilat Kayhan i përdor si lëndë djegëse për gatim.
Saeed Ahmad tregon se ai tashmë është detyruar ta shesë vajzën e tij pesëvjeçare, Shaiqa, pasi ajo u sëmur me apandesit dhe një cist në mëlçi.
“Nuk kisha para për të paguar shpenzimet mjekësore. Prandaj e shita vajzën time tek një i afërm,” thotë ai.
Operacioni i Shaiqas ishte i suksesshëm. Paratë për trajtimin erdhën nga 200 mijë afganët (rreth 3.200 dollarë ose 2.400 funte) për të cilat ajo ishte shitur.
“Nëse do ta kisha marrë të gjithë shumën atëherë, ai do ta kishte marrë menjëherë vajzën time. Prandaj i thashë: më jep tani vetëm aq sa duhet për trajtimin e saj dhe pjesën tjetër ma jep gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, pastaj mund ta marrësh”, shpjegon Saeed.
Vajza e vogël i hedh krahët rreth qafës së tij. Lidhja mes tyre duket qartë, por pas pesë vjetësh ajo do të duhet të largohet dhe të jetojë në shtëpinë e të afërmit.
“Nëse do të kisha para, kurrë nuk do ta merrja këtë vendim”, thotë Saeed.
“Por mendova: po sikur ajo të vdiste pa operacionin? Të paktën kështu do të jetojë”.
Vetëm dy vjet më parë, Saeed dhe familja e tij merrnin ndihmë.
Asokohe ai dhe miliona afganë të tjerë përfitonin ndihma ushqimore: miell, vaj gatimi, thjerrëza dhe suplemente ushqimore për fëmijët.
Por shkurtimet masive të ndihmave gjatë viteve të fundit kanë privuar shumicën dërrmuese të njerëzve nga kjo mbështetje jetike.
Shtetet e Bashkuara, dikur donatori më i madh për Afganistanin - e ndërprenë pothuajse të gjithë ndihmën për vendin vitin e kaluar. Edhe shumë donatorë të tjerë kryesorë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kanë ulur ndjeshëm kontributet e tyre. Të dhënat aktuale të OKB-së tregojnë se ndihma e marrë deri tani këtë vit është 70% më e ulët krahasuar me vitin 2025.
Situatën po e rëndon edhe më shumë thatësira e madhe, e cila ka prekur më shumë se gjysmën e provincave të vendit.
“Nuk kemi marrë ndihmë nga askush, as nga qeveria, as nga organizatat humanitare”, thotë banori i fshatit, Abdul Malik.
Qeveria talebane, e cila mori pushtetin në vitin 2021, fajëson gjithashtu administratën e mëparshme afgane - e rrëzuar pas tërheqjes së forcave të huaja nga vendi.
“Gjatë 20 vjetëve të pushtimit u krijua një ekonomi artificiale për shkak të hyrjes së dollarëve amerikanë”, i tha BBC-së Hamdullah Fitrat, zëvendëszëdhënës i qeverisë talebane.
“Pas përfundimit të pushtimit, ne trashëguam varfëri, vështirësi, papunësi dhe probleme të tjera”.
Megjithatë, politikat e vetë talebanëve - sidomos kufizimet ndaj grave konsiderohen gjithashtu një nga arsyet kryesore pse donatorët po largohen.
Kur u pyetën për këtë çështje, talebanët mohuan çdo përgjegjësi për tërheqjen e donatorëve, duke deklaruar se “ndihma humanitare nuk duhet të politizohet”.
Fitrat përmendi gjithashtu planet e talebanëve “për të ulur varfërinë dhe për të krijuar vende pune përmes zbatimit të projekteve të mëdha ekonomike”, duke përmendur disa projekte infrastrukturore dhe të minierave.
Por ndërsa projektet afatgjata mund të ndihmojnë një ditë, është e qartë se miliona njerëz nuk do të mbijetojnë pa ndihmë urgjente.
Ashtu si Mohammad Hashem, vajza 14-muajshe e të cilit vdiq disa javë më parë.
“Fëmija im vdiq nga uria dhe mungesa e ilaçeve… Kur një fëmijë është i sëmurë dhe i uritur, është e qartë se do të vdesë”, thotë ai.
Vdekja e fëmijëve nga kequshqyerja
Një plak i zonës thotë se vdekshmëria e fëmijëve, kryesisht për shkak të kequshqyerjes, “është rritur shumë” gjatë dy vjetëve të fundit.
Vendi nuk ka regjistra zyrtarë për vdekjet. Varrezat janë i vetmi vend ku mund të shihet prova e rritjes së numrit të fëmijëve që po vdesin. Dhe kështu, siç BBC ka bërë edhe më parë, ka numëruam veçmas varret e vogla dhe ato të mëdha. Kishte afërsisht dy herë më shumë varre të vogla sesa të mëdha - gjë që sugjeron se po vdesin dy herë më shumë fëmijë sesa të rritur.
Më shumë dëshmi kishte në spitalin kryesor provincial në Çaghçaran.
Njësia neonatale, pra reparti për të porsalindurit, ishte më e mbingarkuara. Çdo shtrat ishte i zënë, madje në disa prej tyre ndodheshin nga dy foshnja. Shumica ishin nën peshë dhe pjesa më e madhe kishin vështirësi të merrnin frymë vetë.
Një infermiere sjell me nxitim një krevat të vogël ku ndodhen dy vajza binjake të porsalindura. Ato kishin lindur dy muaj para kohe. Njëra peshonte 2 kilogramë, ndërsa tjetra vetëm 1 kilogram.
Gjendja e tyre ishte kritike dhe menjëherë u vendosën në oksigjen.
Nëna e tyre, Shakila 22-vjeçare, po rikuperohej në repartin e maternitetit.
“Ajo është shumë e dobët sepse gjatë shtatzënisë pothuajse nuk kishte çfarë të hante -vetëm bukë dhe çaj”, shpjegon gjyshja e binjakeve, Gulbadan. “Prandaj foshnjat janë në këtë gjendje”.
Disa orë pasi ekipi i BBC-së u largua nga spitali, foshnja që peshonte më shumë vdiq pa arritur ende të merrte një emër.
“Mjekët u përpoqën ta shpëtonin, por ajo vdiq”, thotë të nesërmen gjyshja e pikëlluar.
“E mbështolla trupin e saj të vogël dhe e çova në shtëpi. Kur nëna e saj e mori vesh, humbi ndjenjat”.
Gulbadan tregon foshnjën tjetër që kishte mbijetuar dhe shton:
“Shpresoj që të paktën kjo të mbijetojë”.
Infermierja Fatima Husseini thotë se ka ditë kur vdesin deri në tri foshnja.
“Në fillim e kisha shumë të vështirë kur shihja fëmijë që vdisnin. Por tani pothuajse është bërë normale për ne”, thotë ajo.
Doktori Muhammad Mosa Oldat, i cili drejton repartin neonatal, thotë se shkalla e vdekshmërisë arrin deri në 10%, gjë që sipas tij “është e papranueshme”.
“Por për shkak të varfërisë, numri i pacientëve po rritet çdo ditë”, thotë ai. “Dhe ne këtu nuk kemi burimet e nevojshme për t’i trajtuar foshnjat siç duhet”.
Në repartin e kujdesit intensiv pediatrik, Zameer gjashtëjavësh vuan nga meningjiti dhe pneumonia. Të dyja sëmundjet mund të kurohen, por mjekët duhet të kryejnë një rezonancë magnetike (MRI), ndërsa spitali nuk ka pajisjet e duhura.
Por ndoshta gjëja më tronditëse që tregojnë mjekët është se spitali publik nuk ka ilaçe për shumicën e pacientëve, ndaj familjet detyrohen t’i blejnë barnat në farmaci private jashtë spitalit.
“Ndonjëherë, nëse mbeten ilaçe nga foshnja e një familjeje më të pasur, ne i përdorim për foshnjat, familjet e të cilave nuk mund t’i përballojnë”, thotë Husseini.
Mungesa e parave po detyron shumë familje të marrin vendime të dhimbshme.
Mbesa e mbijetuar e Gulbadanit shtoi pak në peshë dhe frymëmarrja iu stabilizua. Por disa ditë më vonë, familja e mori në shtëpi. Ata thjesht nuk mund ta përballonin më qëndrimin e saj në spital.
Edhe Zameer u mor në shtëpi nga prindërit e tij për të njëjtën arsye.
Tani trupat e tyre të vegjël do të duhet të luftojnë të vetëm për të mbijetuar.