Botë

SHBA-ja kërkon ndalimin e furnizimit me armë për RSF-në e Sudanit

RSF

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kërkuar veprim ndërkombëtar për të ndalur furnizimin me armë për Forcat e Shpejta Mbështetëse (RSF) të Sudanit, të cilët akuzohen për masakra në el-Fasher.
Në përfundim të një takimi të ministrave të Jashtëm të G7-s në Kanada, Rubio tha se RSF-ja ka kryer krime të sistematizuara, përfshirë vrasje, përdhunime dhe dhunë seksuale kundër civilëve.

Ushtria e Sudanit akuzon Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetje të RSF-së me armë dhe mercenarë, të cilët janë dërguar përmes shteteve afrikane. Emiratet dhe RSF-ja e kanë mohuar këtë akuzë, raporton BBC. 

RSF-ja është në luftë me ushtrinë sudaneze që nga prilli i vitit 2023, kur një luftë për pushtet mes liderëve të tyre shpërtheu në një luftë civile.

Komentet e Rubios janë nga më të ashprat që janë bërë deri më tani nga administrata Trump për luftën në Sudan dhe veprimet e RSF-së, por ende nuk është e qartë se sa ndikim mund të kenë ato.

Një propozim i mbështetur nga SHBA-ja për një armëpushim humanitar në Sudan është shkelur tashmë nga RSF-ja, ndonëse ata e kishin pranuar atë javën e kaluar.

El-Fasher u pushtua muajin e kaluar nga RSF-ja, duke bërë që tani kjo Forcë të kontrollojë të gjitha qytetet në rajonin e gjerë të Darfurit Perëndimor.

Vetëm një pjesë e vogël e popullsisë ka arritur të largohet nga qyteti, ku thuhet se kanë ndodhur masakra. 

Grupet jo-arabe në rajonin e gjerë të Darfurit po targetohen sistematikisht nga RSF-ja në atë që konsiderohet gjenocid, sipas SHBA-së dhe grupeve humanitare.

“Ata po kryejnë akte dhune seksuale dhe krime të tjera, krime  të tmerrshme kundër grave, fëmijëve dhe civilëve të pafajshëm. Këto duhet të ndalen menjëherë”, ka theksuar Rubio para gazetarëve.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbyllur këtë çështje dhe i kemi inkurajuar vendet partnere të na bashkohen në këtë luftë”, shtoi ai.

Rubio shmangu kritikat publikisht për Abu Dhabin zyrtar, ndonëse ekzistojnë prova se është furnizuesi kryesor i armëve për RSF-në, siç është zbuluar në hetime nga media ndërkombëtare që Kombet e Bashkuara i kanë konsideruar të besueshme.

Megjithatë raportohet se administrata Trump po punon për një përfundim të luftës në Sudan së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Egjiptin e Arabinë Saudite, që janë aleatë të qeverisë ushtarake të Sudanit, të njohur si “Quad”.