Ulja e tensioneve dhe përfundimi i konfliktit që ka shkaktuar dëme të mëdha në Lindjen e Mesme pritet të jenë çështjet kryesore e bisedimeve në Islamabad mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Gjatë javës, pritet nisja e negociatave edhe mes Izraelit dhe Libanit, të fokusuara në sigurinë e vendit dhe çështjen e Hezbollahut.
Kryeqyteti i Pakistanit, Islamabad, është venë në gjendje të rreptë sigurie ndërsa përgatitet të presë negociata të rëndësishme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Bisedimet synojnë të ulin tensionet dhe të hapin rrugën drejt përfundimit të konfliktit që ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në Lindjen e Mesme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNga pala amerikane, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ekipin negociator do ta udhëheqë zëvendëspresidenti JD Vance, së bashku me të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Duke u nisur për në Pakistan, Vance tha se beson se negociatat me Iranin do të jenë pozitive.
“Siç tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, nëse iranianët janë të gatshëm të negociojnë me mirëbesim, ne sigurisht jemi të gatshëm të zgjasim dorën. Nëse ata do të përpiqen të na mashtrojnë, atëherë do të kuptojnë se ekipi negociator nuk është aq i hapur ndaj tyre. Pra, ne do të përpiqemi të zhvillojmë një negociatë pozitive. Presidenti na ka dhënë disa udhëzime mjaft të qarta dhe ne do të shohim si do të shkojë”, tha Vance.
Nga ana e Iranit, delegacioni përfshin ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe kryetarin e parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, të cilët kanë marrë pjesë edhe në negociatat për armëpushim më herët.
Po ashtu, pritet të marrin pjesë edhe figura të larta nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.
Negociatat midis Izraelit dhe Libanit, ndërkohë, pritet të fillojnë javën e ardhshme në Uashington.
Në deklaratën e tij të parë që nga njoftimi i Izraelit për negociata të drejtpërdrejta me Libanin, udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, u bëri thirrje zyrtarëve libanezë të mos ofrojnë “koncesione të lira”.
“Ne nuk do të pranojmë një kthim në situatën e mëparshme dhe i bëjmë thirrje zyrtarëve libanezë të ndalojnë dhënien e koncesioneve të lira. Së bashku, si shtet, ushtri, popull dhe rezistencë, ne do të mbrojmë vendin tonë, do të rikthejmë sovranitetin e tij dhe do ta dëbojmë pushtuesin”, tha sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut.
Deklarata e Qassemit u dha pak pasi ushtria izraelite raportoi se ka goditur rreth 10 lëshues raketash në Liban që kishin qëlluar ndaj veriut të Izraelit një ditë më parë.
Ndërkaq, edhe pse armëpushimi hyri në ditën e dytë, u raportua për sulme iraniane në vendet arabe të Gjirit.
Autoritetet në Kuvajt bënë të ditur se janë përballur me një sulm me dronë natën e së enjtes, për të cilin e fajësoi Iranin dhe aleatët e tij milicë në rajon edhe pse Garda Revolucionare e Iranit mohoi se kishte kryer ndonjë sulm.
E përpos mosmarrëveshjes për sulmet izraelite në Liban, pavarësisht armëpushimit, problematikë mbeti edhe Ngushtica e Hormuzit, e cila parashihej të hapej për kalim.
Mbyllja e këtij kanali nga Irani ka bërë që çmimet e naftës të rriten ndjeshëm, të bien tregjet e aksioneve dhe të tronditet ekonomia botërore.
Kontrolli i Teheranit mbi këtë rrugë ujore është treguar si avantazhi i tij më i madh strategjik në luftë.
E një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump u ankua për këtë situatë, duke shkruar në platformën e tij të rrjeteve sociale se Irani po bën një punë shumë të dobët në lejimin e kalimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndër të tjera, Trumpi ka shkruar se kjo nuk është marrëveshja për të cilën kanë rënë dakord, duke iu referuar numrit të kufizuar të anijeve që Irani ka lejuar të kalojnë përmes ngushticës.