Në një dosje të përbashkët me Turqinë e Rumaninë, Shqipëria i është bashkuar nismës që ojnat të shpallen pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s. Tashmë Shqipëria në Listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s numëron pesë asete. Nisi më 2005 me “Isopolifoninë”, për të vazhduar me Xhubletën, Transhumancën në bashkëpunim me disa shtete, më pas K’cimin e Tropojës dhe së fundmi lahutën
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se ojnat, arti i rafinuar i thurjes me grep dhe gjilpërë në traditën shqiptare, janë kandidate për t’u shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Ojnat janë vendosur në një dosje të përbashkët me Rumaninë dhe Turqinë.
“Një trashëgimi e çmuar, e ruajtur dhe përcjellë ndër breza nga gratë shqiptare, vijon të jetojë sot përmes mjeshtërisë së artizaneve, duke ndërthurur traditën me frymën bashkëkohore dhe duke përfaqësuar kulturën shqiptare në arenën ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë ministri Gonxhja.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoOjnat apo qëndisja me oje përfaqëson një nga format më të vyera të trashëgimisë artizanale shqiptare, një dëshmi e gjallë e mjeshtërisë dhe identitetit kulturor.
Ajo është një metodë e artit të qëndisjes me dorë, kryesisht me gjilpërë të hollë, me fije ari ose fije argjendi të holla.
Në Gjirokastër, dikur njihej si puna me “cimb”, puna me gjilpërë të hollë, dhe meqenëse është një teknikë ku puna del shumë e bukur është përdorur kryesisht në: pajat e vajzave, duke qëndisur nga çarçafët, këllëfët e jastëkëve, këmishët e natës, zbukurimet e mjedisit shtëpiak e të tjera; në kostumet popullore të nuses gjirokastrite dhe asaj lunxhiote, ndërsa në kostumet e tjera gjendet kryesisht te shamia e kokës dhe brezi.
Qëndisja me ojë vazhdon edhe sot të ruhet dhe trashëgohet ndër breza në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Në fund të vitit të kaluar Shqipëria ia doli që lahuta të futej zyrtarisht në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale për mbrojtje urgjente edhe në emër të sajin. Sipas përshkrimit të UNESCO-s, lahuta është një instrument druri me një tel, me trup të mbuluar me lëkurë dhe qafë të gdhendur, i punuar zakonisht nga druri i panjës ose arrës. Dikur teli përgatitej nga bishti i kalit, ndërsa sot shpesh përdoret najloni. Instrumenti luhet kryesisht në veriun dhe verilindjen e Shqipërisë, zakonisht gjatë tubimeve familjare, festave dhe ngjarjeve të rëndësishme komunitare. Në vitin 2018, regjistrimi nga UNESCO i “këndimit me gusle” si pasuri botërore, me kërkesë të Serbisë, shkaktoi debat në Shqipëri e Kosovë, pasi gusle është emërtimi sllav i instrumentit që shqiptarët e njohin si lahutë.
Tashmë Shqipëria në Listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s numëron pesë asete. Nisi më 2005 me “Isopolifoninë”, për të vazhduar me Xhubletën, Transhumancën në bashkëpunim me disa shtete, më pas K’cimin e Tropojës dhe së fundmi lahutën.
Pas përfshirjes se lahutës në UNESCO, u hodh edhe ideja për plisin. Asokohe arkeologu nga Kosova, Milot Berisha, në një shkrim autorial hodhi këtë ide. “Plisi, kjo kreshtë e bardhë shekullore e shqiptarëve, është më shumë se veshje: është trashëgimi, vazhdimësi dhe ikonë e qetë e identitetit tonë. Sot, në një kohë kur Xhubleta më 2022 dhe Lahuta më 2025 janë pranuar si trashëgimi jomateriale shqiptare, pyetja shtrohet natyrshëm: a është plisi kandidati i radhës për UNESCO?”, kishte shkruar ai.
Sipas tij, këto dy vendime tregojnë se trashëgimia shqiptare është tashmë e njohur ndërkombëtarisht, se praktikat tradicionale janë të dokumentueshme dhe se Shqipëria ka fituar përvojë teknike në përgatitjen e dosjeve. Në nismën për plisin, ai kishte thënë se do të mund të përfshihej edhe Kosova, dhe ky do të ishte “momenti i mundshëm i përbashkët” me Shqipërinë. “Kosova ende nuk është anëtare e UNESCO-s, por kjo mund të ndryshojë. Ditën kur Kosova pranohet, hapet mundësia për një dosje të përbashkët Shqipëri–Kosovë për plisin. Një dosje e tillë do të ishte profesionalisht e qëndrueshme, do të përfaqësonte një praktikë të gjallë komunitare në të dyja vendet dhe do të kishte vlerë të madhe si gjest bashkëpunimi kulturor”, kishte shkruar ai.