Botë

SHBA-ja kap pranë Islandës cisternën e naftës me flamur rus

SHBA-ja po përpiqet ta sekuestrojë cisternën e naftës nën flamurin rus në Venezuelë

E përditësuar (14:54) - Rusia publikon pamje të helikopterëve amerikanë mbi anijen Marinera

Dy imazhe të publikuara nga transmetuesi shtetëror rus RT tregojnë një helikopter afër një anijeje që duket të jetë Marinera.

Karakteristikat e dukshme në anije në imazhe, duke përfshirë pozicionin e dritares dhe ngjyrën e bardhë dhe të gjelbër të punimeve metalike, janë në përputhje me imazhet e Marineras që janë në dispozicion publikisht.

Mediat amerikane kanë raportuar se SHBA-ja ka kapur të mërkurën cisternën e naftës me flamur rus, e lidhur me Venezuelën.


E përditësuar (14:42) - SHBA-ja kap cisternën e naftës pranë Islandës, raportojnë mediat amerikane

Një cisternë nafte me flamur rus, e lidhur me Venezuelën, është kapur pranë Islandës të mërkurën.

Komanda Evropiane e SHBA-së, thotë se Departamenti i Drejtësisë dhe Sigurisë Kombëtare i SHBA-së ka "njoftuar sot sekuestrimin e M/V Bella 1 për shkelje të sanksioneve të SHBA-së".

"Anija u sekuestrua në Atlantikun e Veriut në përputhje me një urdhër kapjeje të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane, pasi u gjurmua nga USCGC Munro", thuhet në një postim në X. 


Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bëjnë sekuestro të një cisterne të naftës të lidhur me Venezuelën, e cila është ndjekur për më shumë se dy javë nëpër Oqeanin Atlantik nga forcat amerikane, ka raportuar Reuters me burime të mërkurën.  

Cisterna, e njohur më parë si Bella 1 dhe tani e regjistruar si Marinera nën flamurin rus, ka shpëtuar nga një bllokadë detare dhe përpjekje nga Garda Bregdetare e SHBA-së për t’u ndaluar pranë Venezuelës në dhjetor.

Operacioni i SHBA-së, i kryer nga Roja Bregdetare së bashku me elemente të ushtrisë, synon të sekuestrojë cisternën bazuar në urdhra të gjykatave dhe sanksione ndaj anijeve që transportojnë naftë të lidhur me vendet e përfshirë në shkelje të sanksioneve.

Më herët u raportua se Moska ka dërguar në det një nënmarins dhe mjete tjera luftarake për të shoqëruar cisternën dhe për të parandaluar kapjen e saj nga forcat amerikane.

Tankeri ka kaluar nën flamurin rus pas ndryshimit të emrit, duke pretenduar kështu mbrojtjen e juridiksionit rus sipas së drejtës detare ndërkombëtare, që mund ta vështirësojë ndalimin e drejtpërdrejtë nga SHBA-ja.

Incidenti mund të rrisë tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Bella 1 u ndalua nga Garda Bregdetare e SHBA-së në Detin Karaibe në dhjetor kur tentoi të hynte në Venezuelë, por ekuipazhi refuzoi të lejonte anëtarët e Gardës të ngjiteshin në anije dhe u largua në Oqean.

Anija atë kohë ndryshoi emrin në Marinera, vendosi flamurin rus dhe u regjistrua nën juridiksionin rus, një lëvizje që mund të ofrojë mbrojtje sipas ligjeve ndërkombëtare për anijet nën flamur shtetëror.

Udhëtimi i anijes nëpër Atlantik ka çuar në një ndjekje të gjatë nga forcat amerikane, me vëzhgim ajror dhe detar, ndërkohë që Rusia ka rritur praninë ushtarake rreth tij.

SHBA-ja kap cisternën e dytë të naftës të lidhur me Venezuelën

1 d. më parë / 7 jan 2026 15:42
Nafta anija

Photo: Associated Press

Ushtria amerikane thotë se ka sekuestruar në Karaibe një cisternë të dytë nafte të lidhur me Venezuelën.

“SHBA-ja ka sekuestruar një cisternë të dytë nafte, këtë herë në detin e Karaibeve”, thuhet në një njoftim të Komandës Jugore të SHBA-së.

Anija, një "cisternë motorike pa shtetësi dhe e sanksionuar e flotës së errët", u kap në një operacion para agimit, ka bërë të ditur ushtria.

"Anija e ndaluar, M/T Sophia, po operonte në ujëra ndërkombëtare dhe po kryente aktivitete të paligjshme në Detin e Karaibeve", ka thënë ushtria amerikane.

"Roja Bregdetare e SHBA-së po shoqëron M/T Sophia në SHBA për asgjësimin përfundimtar”, thuhet më tej në deklaratë.