Botë

SHBA-ja pezullon kërkesat për imigracion për afganët pas sulmit ndaj Gardës Kombëtare

SHBA

Foto: Associated Press

SHBA-ja ka pezulluar përpunimin e të gjitha kërkesave për imigracion nga afganët, pasi një burrë afgan u identifikua si i dyshuari për të shtënat me armë ndaj dy ushtarëve të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë.

Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së kanë thënë se vendimi është marrë në pritje të një shqyrtimi të "protokolleve të sigurisë dhe verifikimit".

I dyshuari për të shtënat e së mërkurës, të cilat lanë dy anëtarë të Gardës Kombëtare të plagosur rëndë, thuhet se ka mbërritur në SHBA nga Afganistani në shtator 2021.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se sulmi ishte një "akt terrori", duke shtuar se do të ndërmerrte hapa për të larguar të huajt. 

Dhjetëra mijëra afganë kanë hyrë në SHBA nën mbrojtje të posaçme të imigracionit, pas tërheqjes kaotike të SHBA-së nga vendi, në vitin 2021, nën ish-presidentin, Joe Biden. 

Departamenti i Sigurisë Kombëtare e ka identifikuar të dyshuarin në një njoftim për shtyp si Rahmanullah Lakamal, "një i huaj kriminal nga Afganistani". 

Një zyrtar ka thënë për CBS-në se ai kishte aplikuar për azil në vitin 2024 dhe kërkesa e tij ishte miratuar në fillim të këtij viti.

Raportohet se 29-vjeçari ka hyrë në vend në kuadër të programit të quajtur Operacioni "Mirë se vini aleatët".

Trumpi ka thënë pas të shtënave se SHBA-ja "tani duhet të rishqyrtojë çdo të huaj që ka hyrë në vendin tonë nga Afganistani nën drejtimin e Bidenit".

Mijëra ushtarë të Gardës Kombëtare nga e gjithë SHBA-ja janë vendosur në Uashington DC për të luftuar atë që Trumpi e ka përshkruar si krim "jashtë kontrollit".

Ka pasur vendosje të ngjashme në qytete të tjera në të gjithë SHBA-në, të cilat janë përballur me sfida ligjore nga kundërshtarët e Trumpit. 

Trumpi ka vendosur një ndalim udhëtimi për shtetasit e Afganistanit dhe 11 vendeve të tjera, në fillim të këtij viti.

Shtetasit afganë që mbanin Viza Speciale Imigracioni - të disponueshme për ata që punonin drejtpërdrejt me ushtrinë amerikane dhe kishin frikë nga hakmarrja nga talebanët si rezultat i këtij bashkëpunimi - ishin ndër disa përjashtime nga ndalimet gjithëpërfshirëse.

Talebanët janë rikthyer në pushtet pas tërheqjes së SHBA-së në vitin 2021.

Trumpi gjithashtu i ka dhënë fund një programi që u jepte mbrojtje nga deportimi mijëra njerëzve nga Afganistani.