Botë

SHBA-ja mban sot bisedime me Ukrainën rreth planit të paqes

Marco Rubio

Foto: Associated Press

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të takohet me kreun e këshillit të Sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, për bisedime në Miami të enjten, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë.

Takimi vjen pasi Witkoff kaloi pothuajse pesë orë bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë të martën, negociata për të cilat Kremlini ka thënë se nuk prodhuan "asnjë kompromis" për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se bisedimet - ku mori pjesë edhe dhëndri i tij Jared Kushner - ishin "mjaftueshëm të mira", por ka shtuar se ishte shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhte.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybhia, ka thënë se Rusia duhet "t'i japë fund gjakderdhjes" dhe ka akuzuar Putinin se "po humbet kohën e botës".

Kur është pyetur nga një gazetar nëse Witkoff dhe Kushner besonin se Putini vërtet donte t'i jepte fund luftës, Trumpi ka thënë se: "(Putini) do të donte t'i jepte fund luftës. Kjo ishte përshtypja e tyre".

Bisedimet SHBA-Rusi në Kremlin pasuan disa ditë takimesh të SHBA-së me udhëheqës ukrainas dhe evropianë, pasi ishin shprehur shqetësime se drafti i një marrëveshjeje paqeje ishte shumë i anuar nga kërkesat e Rusisë.

"Disa nga propozimet e SHBA-së duken pak a shumë të pranueshme, megjithëse ato duhet të diskutohen më tej", ka thënë ndihmësi i politikës së jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, ndërsa ka shtuar se të tjerat ishin kritikuar hapur nga udhëheqësi i Rusisë.

Edhe pse Ushakov nuk ka dhënë më shumë detaje, të paktën dy pika kryesore mosmarrëveshjeje mbeten midis Moskës dhe Kievit - fati i territorit ukrainas të marra nën kontroll nga forcat ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.