Botë

SHBA-ja i kërkon Tajlandës dhe Kamboxhias të ndalojnë luftimet

Marco Rubio

Foto: Associated Press

SHBA-ja i ka kërkuar Tajlandës dhe Kamboxhias të “ndërpresin menjëherë armiqësitë”, teksa përplasjet ndërkufitare kanë hyrë në ditën e tretë, duke lënë të vdekur të paktën 10 persona dhe duke zhvendosur qindra mijëra.

Të dy kombet duhet të ndjekin masat e uljes së tensioneve të përcaktuara në një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump në tetor, ka thënë sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Trumpi ka thënë gjithashtu se do të zhvillojë një telefonatë për të ndaluar luftimet, të cilat janë përshkallëzimi më serioz që nga përplasjet në korrik që vranë dhjetëra njerëz.

Të dy vendet kanë fajësuar njëri-tjetrin për rikthimin e luftimeve, të cilat kanë parë sulme ajrore dhe shkëmbime zjarri artilerie.

Numri i të vdekurve gjatë tre ditëve të armiqësive është 10 - shtatë nga Kamboxhia dhe tre nga Tajlanda. 

Zyrtarët tajlandezë kanë thënë se kanë evakuuar më shumë se 400,000 njerëz, ndërsa 100,000  persona në anën kamboxhiane janë zhvendosur në strehimore.

Kamboxhia ka akuzuar Tajlandën për nisjen e "sulmeve ushtarake agresive" që synuan institucionet civile dhe "vendet e shenjta kulturore", duke përfshirë tempujt historikë përgjatë kufirit të diskutueshëm.