Bombardimi amerikan i centralit kryesor bërthamor të Iranit “Fordow” e ka "dëmtuar seriozisht dhe rëndë" objektin, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi në një intervistë me CBS News.
"Askush nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur në Fordow. Megjithatë, ajo që dimë deri më tani është se objektet janë dëmtuar seriozisht dhe rëndë", ka thënë Araqchi në intervistën e transmetuar të martën.
"Organizata e Energjisë Atomike e Republikës Islamike të Iranit... aktualisht po kryen vlerësim, raporti i të cilit do t'i dorëzohet qeverisë”, ka shtuar ai.
Komunikimet e përgjuara iraniane minimizonin shkallën e dëmit të shkaktuar nga sulmet amerikane ndaj programit bërthamor të Iranit, raportoi Washington Post të dielën, duke cituar katër persona të njohur me inteligjencën e klasifikuar që qarkullon brenda qeverisë amerikane.
Presidenti Donald Trump ka thënë se sulmet "shkatërruan plotësisht dhe tërësisht" programin bërthamor të Iranit, por zyrtarët amerikanë pranojnë se do të duhet kohë për të formuar një vlerësim të plotë të dëmit të shkaktuar nga sulmet ushtarake amerikane fundjavën e kaluar.