SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë bisedime indirekte që synojnë zgjatjen e armëpushimit dyjavor përtej skadimit të tij më 22 prill, ndërsa shefi i ushtrisë së Pakistanit ka mbërritur në Teheran për të vazhduar përpjekjet ndërmjetësuese.
Karoline Leavitt, zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, ka mohuar të mërkurën se SHBA-ja kishte kërkuar “formalisht” zgjatjen e armëpushimit dyjavor, por ka shtuar se Uashingtoni mbetet “shumë i angazhuar në këto negociata”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë rund i dytë negociatash “ka shumë gjasa” të mbahet në Islamabad, ka thënë ajo, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë ndihet “pozitive për mundësinë e një marrëveshjeje”, vetëm disa ditë pasi negociatat për arritjen e një marrëveshjeje paqeje dështuan.
“Asgjë nuk është zyrtare derisa ta dëgjoni nga ne këtu në Shtëpinë e Bardhë”, ka deklaruar ajo.
Komentet erdhën ndërsa zyrtarët pakistanezë nisën një rund të ri diplomacie lëvizëse, në përpjekje për të negociuar fundin e konfliktit duke udhëtuar në Iran dhe vende të tjera të rajonit për të siguruar mbështetje diplomatike për një marrëveshje paqeje.
Raportet nga rajoni sugjerojnë se të dyja palët janë në favor të zgjatjes së armëpushimit, megjithëse presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se një zgjatje mund të mos jetë e nevojshme për të siguruar një marrëveshje paqeje.
“Gjatë kësaj vizite, pikëpamjet e të dyja palëve pritet të diskutohen në detaje”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, duke shtuar se shkëmbimi i mesazheve mes Uashingtonit dhe Teheranit kishte vazhduar edhe pasi bisedimet 21-orëshe për armëpushimin në Islamabad u ndërprenë gjatë fundjavës.
Burime në Teheran kanë thënë se Irani kërkoi ndalimin e sulmeve izraelite në Liban si kusht paraprak për një rund tjetër negociatash me SHBA-në. Izraeli i ka paraqitur bisedimet e tij me qeverinë libaneze në Uashington si një “mundësi historike” për t’i dhënë fund ndikimit të milicisë Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban.
Por Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, tregoi në një videodeklaratë të mërkurën në mbrëmje se nuk ishte angazhuar për një armëpushim, duke thënë se IDF-ja vazhdonte të “godiste Hezbollahun” në bastionin e tij në Liban, në Bint Jbeil, dhe se kishte dhënë urdhra për të zgjeruar një “zonë sigurie” duke vazhduar operacionet në Liban.
S’ka datë të re për vazhdimin e bisedimeve SHBA-Iran
Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Pakistanit ka thënë të enjten se nuk janë vendosur data për rundin e dytë të bisedimeve midis SHBA-së dhe Iranit.
Zëdhënësi ka thënë se çështjet bërthamore janë ndër temat që po diskutohen nga të dy vendet, në mënyrë indirekte.
Rundi i parë i bisedimeve është zhvilluar më 11 prill në Islambad. Negociatat maratonike 21-orëshe kanë dështuar të prodhojnë një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve SHBA-Izrael kundër Iranit që kanë nisur më 28 shkurt.
Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për dështimin e bisedimeve.
Ndërkohë, Pakistani që atëherë nuk i ka ndalur përpjekjet për t’i kthyer palët sërish në tryezën e negociatave.
Irani thotë se është bërë përparim me SHBA-në pavarësisht ndarjeve të mëdha
Irani dhe SHBA-ja kanë bërë disa përparime ndërsa fundi i armëpushimit dyjavor më 22 prill po afron, ka thënë një zyrtar i lartë iranian për Sky Neës.
Por zyrtari ka shtuar se mbeten ndarje të mëdha, përfshirë edhe rreth ambicieve bërthamore të Teheranit.
“Udhëtimi i shefit të ushtrisë pakistaneze në Teheran ishte efektiv në uljen e dallimeve në disa fusha, por mosmarrëveshjet themelore mbeten në fushën bërthamore. Janë krijuar më shumë shpresa për zgjatjen e armëpushimit dhe mbajtjen e një rundi të dytë bisedimesh”, ka thënë zyrtari i lartë.
“Fati i uraniumit të pasuruar të Iranit dhe kohëzgjatja e kufizimeve bërthamore të Iranit janë ndër çështjet që është duke u diskutuar shumë dhe për të cilat ende nuk është gjetur zgjidhje”, ka shtuar ai.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, të mërkurën ka vlerësuar Pakistanin për rolin e tij në negociata dhe ka thënë se bisedimet me Iranin ishin “produktive”, duke shtuar se ato ka të ngjarë të zhvillohen përsëri në Islamabad.
Irani po shqyrton lejimin e lëvizjes së anijeve nga ana e Omanit në Hormuz
Irani mund të shqyrtojë lejimin e anijeve që të lundrojnë lirshëm përmes anës së Omanit të Ngushticës së Hormuzit pa rrezik sulmi, si pjesë e propozimeve që ka ofruar në negociatat me Shtetet e Bashkuara, me kusht që të arrihet një marrëveshje për të parandaluar rinisjen e konfliktit, ka thënë një burim i informuar nga Teherani.
Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe ndonjëherë të furnizimeve globale me naftë dhe gaz, për shkak të ndërprerjes nga Irani të trafikut nëpër ngushticë, e cila përpunon rreth 20% të rrjedhave botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngëzuar.
Qindra cisterna dhe anije të tjera, si dhe 20,000 detarë, kanë mbetur të bllokuar brenda Gjirit që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.
Një armëpushim dyjavor ka hyrë në fuqi më 8 prill dhe presidenti amerikan Donald Trump ka thënë të mërkurën se lufta është afër përfundimit, por kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit mbetet një çështje kryesore në negociata.
Burimi, i cili nuk ka pranuasr të identifikohej, ka thënë se Irani mund të jetë i gatshëm të lejojë anijet të përdorin anën tjetër të ngushticës së ngushtë, në ujërat e Omanit, pa asnjë pengesë nga Teherani.
Burimi nuk ka specifikuar nëse Irani do të pranonte gjithashtu të pastronte ndonjë minë që mund të ketë vendosur në atë pjesë të ujërave, apo nëse të gjitha anijet, edhe ato të lidhura me Izraelin, do të lejoheshin të kalonin lirshëm.
Megjithatë, burimi ka shtuar se propozimi varet nga gatishmëria e Uashingtonit për të përmbushur kërkesat e Teheranit, një kusht kyç për çdo përparim të mundshëm lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Një burim perëndimor i sigurisë ka thënë se propozimi për të lejuar anijet të kalojnë pa pengesa nëpër ujërat e Omanit kishte kohë që po përpunohej, megjithëse nuk ishte e qartë nëse kishte ndonjë përgjigje nga Uashingtoni deri tani.
Ngushtica, një rrip uji vetëm 34 km i gjerë midis Iranit dhe Omanit, siguron kalimin nga Gjiri në Oqeanin Indian dhe është një rrugë kryesore për furnizimet energjetike nga Lindja e Mesme dhe mallra të tjera jetike, përfshirë plehrat kimike.
Ky propozim do të ishte hapi i parë i dukshëm nga Teherani për t’u tërhequr nga idetë më konfrontuese të paraqitura në javët e fundit, të cilat përfshinin vendosjen e tarifave për kalimin e anijeve në këtë rrugë ujore ndërkombëtare dhe vendosjen e sovranitetit mbi ngushticën, hapa që industria globale e transportit detar i ka konsideruar të paprecedentë dhe në shkelje të konventave detare.