Irani dhe SHBA-ja do të zhvillojnë rundin e tretë të bisedimeve bërthamore të enjten në Gjenevë, ka bërë të ditur të dielën ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, mes shqetësimeve në rritje për rrezikun e një konflikti ushtarak midis dy kundërshtarëve të kahershëm.
SHBA-ja ka shtuar praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti Donald Trump paralajmëroi të enjten se “gjëra vërtet të këqija do të ndodhin” nëse nuk arrihet pajtim për të zgjidhur një mosmarrëveshje të hershme lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“I lumtur të konfirmoj se negociatat SHBA-Iran janë planifikuar tani për të enjten në Gjenevë, me një shtysë pozitive për të bërë hapin shtesë drejt finalizimit të marrëveshjes”, ka thënë ministri i Jashtëm i Omanit, i cili vepron si ndërmjetës në bisedimet indirekte midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Reuters ka raportuar të dielën se Irani po ofronte lëshime të reja në programin e tij bërthamor për të arritur një marrëveshje, me kusht që ajo të përfshijë heqjen e sanksioneve ekonomike dhe njohjen e të drejtës së Teheranit për “pasurim bërthamor paqësor”.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka shprehur optimizëm të dielën në një postim në X, duke thënë se negociatat e fundit kishin “dhënë sinjale inkurajuese”, ndërsa theksoi gatishmërinë e Teheranit për “çdo skenar të mundshëm”.
I dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, i cili udhëheq negociatat bërthamore nga ana amerikane, ka thënë të shtunën se presidenti amerikan është kurioz pse Irani ende nuk ka kapitulluar dhe rënë dakord të kufizonte programin e tij bërthamor.
“Nuk dua të përdor fjalën ‘i frustruar’, sepse ai e kupton që ka shumë alternativa, por është kurioz pse ata nuk kanë... Nuk dua të përdor fjalën ‘kapitulluar’, por pse nuk kanë kapitulluar”, ka thënë Witkoff gjatë një interviste për Fox News.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka reaguar në një postim në X duke thënë: “Kurioz të dini pse nuk po kapitullojmë? Sepse jemi iranianë.”
Ai gjithashtu ka thënë në një intervistë për CBS se një zgjidhje diplomatike me SHBA-në është ende e mundshme të arrihet.
Bisedimet indirekte vitin e kaluar nuk sollën ndonjë marrëveshje, kryesisht për shkak të mospajtimeve lidhur me kërkesën e SHBA-së që Irani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit në territorin e tij, gjë që Uashingtoni e sheh si një rrugë drejt një bombe bërthamore. Irani ka mohuar se synon armë të tilla.
SHBA-ja i është bashkuar Izraelit në goditjen e objekteve bërthamore iraniane në qershor, duke kufizuar në mënyrë efektive pasurimin e uraniumit nga Irani, ndërsa Trumpi ka thënë se objektet kryesore bërthamore ishin “shkatërruar plotësisht”. Megjithatë, besohet se Irani ende posedon rezerva të pasuruara më herët, të cilat Uashingtoni dëshiron që ai t’i dorëzojë.