Shtetet e Bashkuara pritet të dalin zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të enjten, pavarësisht paralajmërimeve se kjo do të dëmtojë si shëndetin publik në SHBA ashtu edhe shëndetin global.
Presidenti Donald Trump ka njoftuar se SHBA-ja do të largohej nga organizata që në ditën e parë të presidencës së tij në vitin 2025, përmes një urdhri ekzekutiv. Sipas ligjit amerikan, SHBA-ja duhet të japë njoftim një vit përpara dhe të paguajë të gjitha detyrimet financiare përpara largimit.
Të enjten, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se dështimi i OBSH-së për të frenuar, menaxhuar dhe ndarë informacionin i kishte kushtuar SHBA-së triliona dollarë dhe se presidenti kishte ushtruar autoritetin e tij për të pezulluar transferimin e ardhshëm të çdo fondi, mbështetjeje apo burimi të qeverisë amerikane drejt OBSH-së.
“Populli amerikan ka paguar më shumë se sa duhet për këtë organizatë dhe kjo goditje ekonomike shkon përtej çdo pagese paraprake për detyrimet financiare ndaj organizatës”, ka thënë zëdhënësi në një email.
Gjatë vitit të fundit, shumë ekspertë të shëndetit global kanë kërkuar rishqyrtim të vendimit, përfshirë së fundmi edhe drejtorin e përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Shpresoj që SHBA-ja ta rishqyrtojë vendimin dhe të ribashkohet me OBSH-në”, u ka thënë ai gazetarëve në një konferencë për shtyp më herët këtë muaj.
“Largimi nga OBSH-ja është humbje për Shtetet e Bashkuara dhe humbje për pjesën tjetër të botës”, ka shtuar ai.
OBSH-ja ka thënë gjithashtu se SHBA-ja ende nuk i ka paguar tarifat që i detyrohet për vitet 2024 dhe 2025.
Shtetet anëtare pritet të diskutojnë largimin e SHBA-së dhe mënyrën se si do të trajtohet ai në mbledhjen e bordit ekzekutiv të OBSH-së në shkurt, i ka thënë Reutersit një zëdhënës i OBSH-së.
E duke folur për Reutersin në Davos, Bill Gates, kryetar i Fondacionit Gates, një financues i madh i nismave globale të shëndetit dhe i disa projekteve të OBSH-së, ka thënë se nuk pret që SHBA-ja ta rishqyrtojë vendimin në afat të shkurtër.
“Nuk mendoj se SHBA-ja do të kthehet në OBSH në të ardhmen e afërt”, ka thënë, duke shtuar se sa herë që të ketë mundësi, do të lobojë për këtë.
“Bota ka nevojë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë”, është shprehur Gates.