Presidenti i Sirisë, Ahmed Sharaa, ka mbërritur në Washington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara i hoqën zyrtarisht statusin e terroristit”.
Ish-militanti islamist pritet të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, rreth njëmbëdhjetë muaj pasi aleanca e tij rebele rrëzoi Bashar al-Assadin nga pushteti.
Vetëm disa orë para mbërritjes së tij në kryeqytetin amerikan, autoritetet siriane njoftuan se forcat e sigurisë kishin ndaluar dhjetëra persona të dyshuar si pjesëtarë të grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik (ISIS).
Bashkëpunimi mes dy vendeve për të shkatërruar mbetjet e këtij grupi në Siri pritet të jetë në krye të agjendës gjatë bisedimeve mes Sharaas dhe Trumpit.
Autoritetet siriane thanë se janë arrestuar 71 persona të dyshuar, ndërsa gjatë operacioneve janë sekuestruar armë dhe eksplozivë.
Që nga marrja e pushtetit, Sharaa ka synuar rikthimin e Sirisë në skenën ndërkombëtare, pas dekadash izolimi nën regjimin e Assadit dhe 13 vjetësh lufte civile.
Në shtator, ai udhëtoi drejt SHBA-së për të folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku deklaroi se Siria po “rikthen vendin e saj të merituar mes kombeve të botës” dhe bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.
Këtë javë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë të propozuar nga SHBA-ja për heqjen e disa masave ndëshkuese, në të njëjtën kohë që Uashingtoni ka nisur një proces të lehtësimit gradual të sanksioneve ndaj Sirisë dhe udhëheqjes së saj të re.