Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sanksionet e Trumpit po e shuajnë turizmin në Kubë

Kuba

Vendimi i administratës Trump për të ndërprerë furnizimin e Kubës me naftë nga jashtë po godet rëndë industrinë e turizmit në ishull. Kjo industri është një nga burimet kryesore të të ardhurave për qeverinë kubane, e cila po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe presion gjithnjë e më të madh për mbijetesë.

Në javën e dytë të pushimeve të Debbie Sutherlandit në Kubë muajin e kaluar, filluan të shfaqeshin shenja shqetësuese të problemeve.

Benzina po shpërndahej me racion, shumë ekskursione u anuluan dhe të gjitha dyqanet në një qendër tregtare pranë hotelit ishin mbyllur.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hoteli ku qëndronte ajo, në Cayo Las Brujas, pjesë e një zinxhiri të vogël ishujsh në veri të Kubës qendrore, kishte rezervuar një bllok dhomash për punonjësit që kishin mbetur të bllokuar. Ajo pjesë e hotelit ishte plotësisht në errësirë: vetëm turistët kishin energji elektrike.

Kuba është mbështetur prej kohësh te turizmi dhe veçanërisht te vizitorët kanadezë që kërkojnë diell gjatë dimrit - si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së saj në vështirësi.

“Populli kuban i do shumë kanadezët”, tha Sutherland, 64 vjeçe, terapiste e sjelljes nga Ontario. “Ata thoshin: ‘E dini, ne do të vdisnim pa Kanadanë’”.

Por kufizimet e udhëtimit të vendosura nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe përpjekjet për të bllokuar furnizimin e Kubës me naftë nga jashtë kanë goditur rëndë industrinë e turizmit - e cila tashmë ishte dobësuar pas pandemisë së Covid-19 - duke thelluar krizën ekonomike që kërcënon mbijetesën e qeverisë.

Si shumë turistë të tjerë, edhe pushimet e Sutherlandit u ndërprenë më herët muajin e kaluar, pasi kriza e rëndë energjetike në vend filloi të paralizonte turizmin.

Qeveria kubane ka njoftuar se po i mbaronte karburanti për avionët dhe ndërprerjet e energjisë elektrike po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Si pasojë, linjat ajrore ruse dhe kanadeze pezulluan fluturimet drejt Kubës, një zhvillim që rrezikon jetesën e qindra mijëra njerëzve që varen nga turizmi.

Kanadezët, shtyllë e turizmit për Kubën

Kompanitë ajrore dërguan avionë bosh në ishull vetëm për të marrë mijëra turistë dhe për t’i kthyer në shtëpitë e tyre. Ky ishte një tregues i qartë i situatës së paqëndrueshme në Kubë, ndërsa politika e administratës Trump po krijonte një situatë gjithnjë e më të dëshpëruar për vendin dhe popullin e tij. Në rrugën drejt aeroportit, Sutherland tha se kishte parë shumë kamionë, makina dhe motoçikleta të braktisura, me sa duket sepse kishin mbetur pa karburant.

Në përpjekje për të dobësuar dhe rrëzuar qeverinë komuniste 67-vjeçare të Kubës, administrata Trump ka vënë në shënjestër burimet kryesore përmes të cilave vendi siguron të ardhura në valutë të huaj – pra para që vijnë nga jashtë, si dollarë ose euro, të domosdoshme për ekonominë kubane. Këto burime përfshijnë kryesisht turizmin, nga i cili Kuba përfiton të ardhura nga vizitorët e huaj, por edhe misionet mjekësore që Kuba dërgon në vende të tjera. Në këto programe, mjekët kubanë punojnë jashtë vendit dhe shtetet pritëse paguajnë qeverinë kubane për shërbimet e tyre.

Edhe para urdhrit ekzekutiv të Trumpit në janar, që kërcënonte vendosjen e tarifave ndaj vendeve që furnizojnë Kubën me naftë, administrata e tij kishte filluar të dobësonte industrinë turistike të vendit.

Trump u kufizoi amerikanëve mundësinë për të udhëtuar në Kubë, për të qëndruar në hotele shtetërore apo për të shkuar atje me anije turistike. Vendimi për ta futur Kubën në listën e shteteve sponsore të terrorizmit pati gjithashtu pasoja për turistët evropianë: ata që vizitonin Kubën humbnin të drejtën për të hyrë në Shtetet e Bashkuara pa vizë.

Sipas Paolo Spadonit, profesor i shkencave sociale në Augusta University në Georgia, i cili së fundmi ka botuar një libër mbi industrinë turistike kubane, vitin e kaluar Kuba pati vetëm 1.8 milionë vizitorë ndërkombëtarë, nga 4.7 milionë sa kishte pasur në vitin 2018.

Megjithëse numri i tyre ka rënë, kanadezët kanë mbetur një shtyllë kryesore e turizmit në Kubë, duke përbërë rreth 40 për qind të vizitorëve të huaj. Kuba ka investuar shumë për t’i tërhequr ata, pasi kanadezët mund të hyjnë në vend pa viza, u pëlqejnë pushimet dimërore në vende me diell dhe shpesh kthehen përsëri.

Megjithatë, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë për ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, përhapjen e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat dhe grumbujt e mëdhenj të mbeturinave në rrugë, shumë turistë nga Evropa dhe Kanadaja po zgjedhin destinacione të tjera. Disa operatorë turistikë madje e kanë hequr Kubën nga ofertat e tyre.

Sipas Spadonit, edhe kubanët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë larg.

Si rezultat, industria turistike e Kubës pritet të përballet me një vit shumë të vështirë, të krahasueshëm vetëm me periudhën e pandemisë, kur udhëtimet në mbarë botën pothuajse u ndalën.

Vetëm pak vite më parë, Kuba përjetoi një bum të shkurtër turistik pas vendimit të presidentit Barack Obama në vitin 2014 për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Kubën.

Ai gjithashtu lehtësoi kufizimet për udhëtimet e amerikanëve në ishull dhe madje lejoi edhe udhëtimet me anije turistike. Për një kohë të gjatë Kuba kishte qenë një destinacion i ndaluar për amerikanët, ndaj numri i vizitorëve nga SHBA-ja u rrit ndjeshëm.

Megjithatë, kjo periudhë liberalizimi zgjati pak. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump riktheu kufizime më të ashpra. Si pasojë, numri i amerikanëve që vizitonin Kubën ra nga 638 mijë në vitin 2018 në vetëm 110 mijë në vitin 2025, sipas statistikave të qeverisë kubane.

Edhe pse numri i turistëve po binte, Kuba vazhdoi të investonte fuqishëm në turizëm, duke shpenzuar miliarda dollarë për ndërtimin e hoteleve të reja.

Nga viti 2014 deri në vitin 2025, qeveria shtoi rreth 22 mijë dhoma të reja hoteli dhe ndërtoi rreth 70 hotele të reja, tha Spadoni. Aktualisht Kuba ka rreth 85 mijë dhoma hoteli në mbarë vendin, por shkalla e shfrytëzimit të tyre është vetëm rreth 20 për qind.

Hotelet shtetërore në Kubë menaxhohen nga kompania “Gaviota”, pjesë e konglomeratit ekonomik GAESA, i cili drejtohet nga ushtria dhe kontrollon pjesën më të madhe të ekonomisë kubane. Kjo do të thotë se hotelet më të mira dhe pronat më të vlefshme janë në duart e zyrtarëve ushtarakë.

“Një keqkuptim i zakonshëm është: si mund të ndërtojë Kuba kaq shumë hotele kur shkalla e mbushjes është kaq e ulët?” tha Spadoni. “Ajo që shumë njerëz nuk e kuptojnë është se për ushtrinë kubane këto janë më shumë investime në pasuri të paluajtshme sesa projekte turistike”.

Sipas tij, zyrtarët ushtarakë mund të jenë duke menduar në plan afatgjatë, duke kërkuar të kenë kontroll mbi pronat më të vlefshme në rast se qeveria komuniste një ditë kalon drejt një sistemi demokratik.

Disa hotele të reja luksoze, si hoteli ikonë Torre K në Havana, janë kryesisht bosh.

Dështimi i hoteleve

Gjatë 15 vjetëve të fundit, qeveria kubane ka investuar rreth 24 miliardë dollarë në ndërtimin e hoteleve, sipas Emilio Morales, ish-zyrtar marketingu i kompanisë tregtare kubane Cimex, i cili sot jeton në Miami dhe merret me studimin e industrisë së turizmit në Kubë. Morales njihet gjithashtu si një kritik i ashpër i politikave ekonomike të qeverisë kubane.

Sipas tij, një pjesë e madhe e këtyre investimeve nuk i ka dhënë rezultatet e pritura.

“Kishte shumë hotele të reja, por brenda dy ose tre vjetësh e gjysmë, shumë prej tyre u mbyllën ose filluan të përkeqësoheshin”, tha Morales. “Problemi është se qeveria nuk investoi në sektorët e tjerë që mbështesin turizmin, si për shembull infrastruktura energjetike apo rrjeti i furnizimit me energji elektrike. Pa këto baza, turizmi nuk mund të funksionojë normalisht”.

Ndërkohë, në deklaratat publike, zyrtarët kubanë kanë akuzuar administratën e Trumpit për përpjekje të qëllimshme për ta shtyrë vendin drejt kolapsit ekonomik.

“Çfarë do të thotë të pengosh që edhe një pikë e vetme karburanti të arrijë në një vend?” tha së fundmi presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel. “Kjo do të thotë të ndikosh drejtpërdrejt në transportin e ushqimit, në prodhimin e tij, në transportin publik, në funksionimin e spitaleve, të institucioneve të ndryshme, të shkollave, në prodhimin ekonomik dhe, sigurisht, edhe në turizëm”.

Ai theksoi se, pavarësisht vështirësive, qeveria kubane nuk ka ndërmend të dorëzohet.

“Dorëzimi nuk është një opsion”, deklaroi ai.

Muajin e kaluar, qeveria kubane mori një vendim të papritur: mbylli dhjetëra hotele dhe transferoi turistët në struktura të tjera për të përqendruar vizitorët në më pak ambiente dhe për të kursyer energji elektrike.

Disa kompani ajrore kanë vazhduar fluturimet drejt Kubës, por janë detyruar të bëjnë ndalesa shtesë në Republikën Domenikane për t’u furnizuar me karburant. Në të njëjtën kohë, disa shtete kanë filluar të paralajmërojnë qytetarët e tyre për rreziqet e udhëtimit në Kubë.

Kompania “Air Canada” njoftoi se ka vendosur të pezullonte fluturimet drejt ishullit, pasi ndalesat shtesë për furnizim me karburant do të prishnin oraret e fluturimeve dhe do të krijonin vështirësi të mëdha operative.

“Përtej kësaj, problemet e vazhdueshme me furnizimin me karburant në Kubë, të kombinuara me paqëndrueshmërinë e rrjetit elektrik, krijojnë pasoja më të gjera për udhëtarët”, tha Christophe Hennebelle, zëdhënës i “Air Canada”. Në atë kohë kompania kishte rreth 3.000 klientë në Kubë që kishin blerë pako turistike për pushime.

Ai shtoi se situata në vend po bëhej gjithnjë e më e vështirë.

“Nevojat bazë, si ushqimi dhe shërbimet mjekësore, po bëhen gjithnjë e më të pakta”, tha ai. “Ne nuk duam të rrezikojmë shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e pasagjerëve tanë”.

Ndikimi i krizës po ndihet edhe tek organizatorët e udhëtimeve turistike. Lorne Berkun, një 80-vjeçar nga Vancouver, i cili organizon udhëtime turistike në Kubë tha se këtë vit kishte marrë vetëm një kërkesë nga një klient.

Në vitet e mëparshme, në këtë periudhë ai zakonisht kishte marrë të paktën 15 kërkesa për rezervime.

“Në këto kushte nuk ka asnjë mënyrë që të marr dikë në Kubë tani”, tha ai.

Edhe operatorë të tjerë turistikë po përballen me vështirësi të mëdha. Lucy Davies, një organizatore britanike udhëtimesh e specializuar në ture çiklizmi, tha se biznesi i saj praktikisht u ndal pasi vende si Kanadaja rritën nivelin e paralajmërimeve për udhëtim.

“Pothuajse të gjithë klientët tanë kanë anuluar rezervimet”, tha ajo. “Kur një qeveri rekomandon që qytetarët të mos udhëtojnë në një vend përveç rasteve absolutisht të domosdoshme, sigurimet e udhëtimit nuk i mbulojnë më turistët që shkojnë në atë destinacion”.

Ajo shtoi se shpreson që situata të përmirësohet së shpejti.

“Ne shpresojmë shumë që Kuba dhe Shtetet e Bashkuara të gjejnë një zgjidhje së shpejti  dhe para se vendi të përballet me një kolaps të plotë”.

Ndërkohë, shumë turistë që ndodheshin tashmë në Kubë përjetuan situata të papritura. Drew Garneau, 42 vjeç, nga Nova Scotia e Kanadasë, kishte planifikuar të kalonte pushimet në Cayo Cruz, ishull turistik pranë brigjeve të Kubës, nga 4 deri më 18 shkurt.

Pesë ditë pas fillimit të udhëtimit, ai sapo kishte përfunduar interpretimin e një kënge të Bon Jovi gjatë një mbrëmjeje karaoke në hotel, kur një punonjës i hotelit iu afrua në korridor.

“Ai më mori mënjanë dhe më tha: ‘Hej, ju të dy duhet të bëni gati valixhet. Do të largoheni në orën 6 të mëngjesit’”, kujton Garneau.

Më vonë ai mësoi se linjat ajrore po dërgonin avionë për të marrë turistët dhe për t’i kthyer në vendet e tyre.

“Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë të më nxirrnin nga një vend në këtë mënyrë”, tha ai.