Rusia ka ndërmarrë valë të re e masive sulmesh në Ukrainë. Cak i bombardimeve ishte infrastruktura energjetike në Kiev dhe në Kharkiv, e për pasojë me mijëra njerëz kanë mbetur pa furnizim me rrymë në mot me acar. I gjithë aksioni ka ndodhur teksa delegacione nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillonin bisedime për paqe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Udhëheqësit i kanë cilësuar konstruktive bisedimet, teksa kanë paralajmëruar vazhdim të tyre
Ushtria ruse ka ndërmarrë valë të re sulmesh në Ukrainë, duke lënë të vrarë të paktën një person dhe 31 të tjerë të plagosur, në ditën kur në Emiratet e Bashkuara Arabe janë përmbyllur bisedimet trepalëshe në funksion të marrëveshjes për paqe.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i ka dënuar sulmet teksa ka kritikuar ashpër presidentin rus, Vladimir Putin, për ndërmarrjen e aksionit në kohë negociatash.
“Me cinizëm, Putini urdhëroi një sulm të madh me raketa ndaj Ukrainës pikërisht në momentin kur delegacionet po takohen në Abu Dhabi për të avancuar procesin e paqes të udhëhequr nga SHBA-ja. Raketat e tij nuk goditën vetëm njerëzit tanë, por edhe tryezën e negociatave”, ka deklaruar ministri i Jashtëm ukrainas.
Në bisedimet në Abu Dabi, të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë diskutuar për një marrëveshje të paqes me zyrtarët ukrainas, Rustem Umerov dhe Kyrylo Budanov, ndërkaq Rusia është përfaqësuar nga zyrtarë të inteligjencës ushtarake dhe të ushtrisë.
E pas përmbylljes së tyre, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se diskutimet kanë qenë konstruktive dhe me parametra të mundshëm për t’i dhënë fund luftës.
“Të gjitha palët kanë rënë dakord të raportojnë në kryeqytetet e tyre për secilin aspekt të negociatave dhe t’i koordinojnë hapat e mëtejshëm me udhëheqësit e tyre”, ka theksuar Zelensky.
Ai ka thënë po ashtu se përfaqësuesit ushtarakë kanë identifikuar çështjet për një takim të mundshëm të ardhshëm, që mund të zhvillohet qysh në javën e ardhshme. Zelensky ka thënë se në takim ka pasur mirëkuptim nga të gjitha palët se është i nevojshëm një monitorim dhe kontroll amerikan i procesit për fundin e luftës dhe për ofrimin e garancisë së sigurisë.
E agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA ka raportuar gjithashtu se Moska mbetet e hapur për vazhdimin e dialogut ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS ka raportuar se bisedimet u zhvilluan në gjuhën angleze dhe atë ruse. Sipas raportimit paraprak të TASS-it, çështja e territoreve ishte kyçe në negociata. Në mes të bisedimeve, u kuptua nga të gjitha palët se çështja e territoreve është e vetmja që mbetet për t’u zgjidhur. Kremlini ka përsëritur qëndrimin rus se Ukraina duhet të tërhiqet nga rajoni i Donbasit, ndërsa Ukraina ka refuzuar vazhdimisht.
Më vonë, një zyrtar amerikan, i cili kërkoi të mbetej anonim, ka konfirmuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve do të nisë më 1 shkurt, sipas agjencive të lajmeve AFP dhe Reuters.
Në Ministrinë e Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë bërë të ditur se bisedimet dyditore kanë pasur për synim nxitjen e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve politike për krizën.
Përderisa Kievi dhe qytete të tjera po përballen me mungesë të rrymës dhe ngrohjes pas sulmeve të Rusisë në infrastrukturën energjetike, zyrtarët në kryeqytet kanë bërë të ditur se nga sulmet midis negociatave ka humbur jetën një person dhe dhjetëra janë lënduar.
Kryetari i Administratës Ushtarake në Kiev, Tymur Tkachenko, ka thënë se viktima e sulmeve me dronë rusë është shënuar në kryeqytet, ku edhe janë plagosur katër persona. E në qytetin e dytë më të madh, Kharkiv, guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov, ka thënë se lëndime kanë pësuar së paku 27 persona.
Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia ka lëshuar gati 400 raketa e dronë në këto sulme. Rreth 80 për qind e Ukrainës përballet me mungesë të energjisë elektrike.
Ditëve të fundit ka pasur aktivitete të shtuara diplomatike nga Zvicra deri në Kremlin, ndonëse shumë çështje përbëjnë pengesë për dakordimin për paqe shkaku i qëndrimeve të betonuara të palëve.
Presidenti ukrainas pati deklaruar të enjten në Davos se marrëveshja e mundshme e paqes është pothuajse gati. Megjithatë, çështje shumë të ndjeshme, veçanërisht ato që lidhen me territoret ukrainase, Donbas e Donjetsk, e të cilat i kërkon Rusia, ende nuk janë zgjidhur.
Një ditë përpara se të nisnin bisedimet në Abu Dhabi, Witkoff dhe Kushner u takuan me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Pas takimit katërorësh, këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, pati deklaruar se Vladimir Putini ka theksuar angazhimin e sinqertë të Rusisë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë përmes mjeteve politike dhe diplomatike. Megjithatë, ai ka shtuar se “arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme do të ishte e pamundur pa trajtimin e çështjes territoriale, bazuar në formulën e rënë dakord në Anchorage”.
Gushtin e kaluar, Trump dhe Putin u takuan në Anchorage, Alaskë, për të diskutuar përfundimin e luftës, duke arritur një dakordim që do t’ia lejonte Rusisë të merrte rajonin e Donbasit dhe të mbante kontrollin mbi gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.
Administrata Trump ka rritur presionin në vazhdimësi ndaj Ukrainës, pavarësisht shqetësimeve në shkallë të gjerë se ajo i shkon më në favor Rusisë. Gati katër vjet pas nisjes së luftës, Rusia ka nën kontroll rreth 20 për qind që zyrtarisht në botë njihet si territor ukrainas. Kjo përfshin rajonin e Luhanskut dhe pjesë të Donetskut, Khersonit e Zaporizhzhias.