Botë

Rusia kreu sulm masiv me dronë dhe raketa në Ukrainë gjatë natës

Kiev

Arkiv

Foto: Associated Press

Rusia kreu sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike në disa rajone të Ukrainës, shkroi në Telegram operatori kombëtar i energjisë i Ukrainës, Ukrenergo. 

Të paktën tetë persona u plagosën në sulme, tha ministri i Punëve të Brendshme ukrainase, Ihor Klymenko. Në mesin e tyre, të paktën tre persona u plagosën në rajonin e Kievit. 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se objektet energjetike ishin objektivat kryesore të sulmeve, duke vënë gjithashtu në dukje se një sulm me dronë kishte “djegur” stacionin e trenit në qytetin Fastiv, i vendosur në rajonin e Kievit. 

Sulmet ruse nisën në kohën kur zyrtarët amerikanë dhe ukrainas po zhvillojnë bisedime që synojnë t'i japin fund luftës gati 4-vjeçare. 

Rusia përdori 653 dronë dhe 51 raketa në sulmin me shtrirje të gjerë, i cili shkaktoi alarme për sulme ajrore në të gjithë vendin dhe ndodhi ndërsa Ukraina shënoi Ditën e Forcave të Armatosura, njoftuan pjesëtarët ukrainas të forcave. 

Forcat ukrainase rrëzuan dhe neutralizuan 585 dronë dhe 30 raketa.