Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka kundërshtuar të martën pretendimet e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ukrainën nga radhët e administratës së presidentit Donald Trump, se Rusia është duke i vonuar qëllimisht bisedimet për paqen, tek ka shtuar se Moska zyrtare i ka përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në negociata.
I dërguari i Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, kishte thënë të hënën se “Rusia s’mund të vazhdojë më me zvarritje, teksa bombardon objektiva civile në Ukrainë”, ka raportuar Reuters.
I pyetur lidhur me këto deklarata, Peskov ka theksuar se Rusia është mirënjohëse ndaj rolit lehtësues të ekipit të Trumpit, porse ka mohuar kategorikisht se Moska po i zvarritë bisedimet.
“Askush s’po vonon asgjë këtu”, ka thënë ai para gazetarëve në Moskë. “Natyrisht që jemi në favor të përmbushjes së qëllimeve që po mundohemi t’i arrijmë përmes operacionit special ushtarak, si dhe mjeteve politike e diplomatike. Prandaj, ne nuk jemi të interesuar të shtyjmë asgjë”.
Peskov ka bërë të ditur po ashtu se datat për rundin e tretë të negociatave me delegacionin e Ukrainës akoma s’janë dakorduar dhe se mbetet të diskutohen në të ardhmen e afërt.