Rusia është bërë shteti i parë që zyrtarisht ka njohur sundimin taliban, teksa ministri i Jashtëm afgan, Amir Khan Muttaqi, e ka quajtur vendim “të guximshëm”.
Ai takoi ambasadorin rus në Afganistan, Dmitry Zhirnov, në Kabul, dhe nga aty e bëri të ditur vendimin e qeverisë së tij, raportoi BBC.
Muttaqi ka thënë se është “një fazë e re e marrëdhënieve pozitive, respektit të ndërsjellë dhe angazhimit konstruktiv”.
Talibanët kanë kërkuar njohje ndërkombëtare dhe investime që kur e rikthyen pushtetin në gusht 2021, pavarësisht raporteve për shkelje të të drejtave të njeriut.
Rusia ka qenë një prej pak shteteve që nuk e kishte mbyllur ambasadën në Afganistan më 2021. Ajo ishte edhe e para që kishte nënshkruar marrëveshje ekonomike me talibanët më 2022.