Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zyrtarë të Listës Serbe denoncohen për keqpërdorime financiare

Zyrtarë të Listës Serbe denoncohen për keqpërdorime financiare

Ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq ka dorëzuar kallëzim penal kundër zyrtarëve të Listës Serbe në Komunën e Leposaviqit. Sipas tij, zyrtarët e Listës Serbe dyshohen për keqpërdorime milionëshe në këtë komunë

Me një varg akuzash ndaj zyrtarëve komunalë nga radhët e Listës Serbe, ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, të premten ia ka mësyrë gjykatës së Qarkut të Mitrovicës Veriore.

Ai ka dorëzuar kallëzim penal ndaj zyrtarëve komunalë mbi dyshimet për veprat penale: “Konflikt i interesit”, “Përvetësimi në detyrë”, “Mashtrimi në detyrë”, si dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Radomiroviq beson se ata po i keqpërdorin mjetet financiare në Komunën e Leposaviqit.

“Sot do të ngre padi penale për rreth 1 milion euro të cilat janë keqpërdorur në Komunën e Leposaviqit. Ka të bëjë me projektet që janë financuar njëkohësisht nga buxheti i Serbisë dhe buxheti i Kosovës. Dua të theksoj se kjo është vetëm njëra nga paditë, e do të vijojnë edhe disa”, ka thënë ai.

Radomiroviq tha se askush nga serbët nuk i është përgjigjur kësaj ftese për paraqitjen e këtij kallëzimi penal, përveç iniciativës qytetare Barazi dhe Drejtësi Kombëtare nga Shtërpca.

“Kjo është një ftesë edhe për institucionet që të përfshihen në këtë pjesë të punës që përgjegjësit nga Komuna e Leposaviqit të përballen me drejtësinë. Kjo ka të bëjë me vjedhje të disa miliona eurove dhe keqpërdorim të mjeteve vetëm në komunat që janë në veriun e Kosovës”, ka theksuar ai.

Radomiroviq tha se zyrtarët e Komunës së Leposaviqit duhet të përgjigjen penalisht për keqpërdorimet financiare.