Presidenti Donald Trump është i përkushtuar ndaj suksesit të kryeministrit hungarez Viktor Orban, sepse udhëheqja e tij është thelbësore për interesat kombëtare të SHBA-së, ka thënë të hënën sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke ofruar një mbështetje të fortë amerikane për liderin nacionalist afatgjatë, i cili përballet me zgjedhje në prill.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Orbanin të hënën në Budapest, Rubio ka thënë se marrëdhëniet SHBA–Hungari po hyjnë në një “epokë të artë”, por la të kuptohej se kjo varej nga vazhdimi i udhëheqjes së Orbanit.
“Presidenti Trump është thellësisht i përkushtuar ndaj suksesit tuaj, sepse suksesi juaj është suksesi ynë,” ka thënë Rubio, teksa qëndronte pranë Orbanit.
“Ne duam që ky vend të ecë mirë. Është në interesin tonë kombëtar, veçanërisht për aq kohë sa ju jeni kryeministër dhe lider i këtij vendi”, ka shtuar ai.
Rubio, i cili shërben gjithashtu si këshilltar për sigurinë kombëtare i Trumpit, po zhvillon një tur dyditor në Evropën Qendrore, duke vizituar të dielën Sllovakinë ndërkaq të hënën Hungarinë, liderët konservatorë të të cilave kanë marrëdhënie të ngrohta me Trumpin dhe janë kritikë ndaj Bashkimit Evropian.
Në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, që pritet të jenë shumë të kontestuara, Orban përballet me sfidën e tij më të madhe që nga ardhja në pushtet e partisë së tij Fidesz me një fitore dërrmuese në vitin 2010.
Votimi do të ketë pasoja të mëdha për Evropën dhe për forcimin e lëvizjeve konservatore dhe të djathta ekstreme në kontinent.
Orban, prej kohësh një nga aleatët më të afërt të Trumpit në Evropë, është përplasur shpesh me BE-në për një sërë çështjesh, ndërsa ka ruajtur marrëdhënie të përzemërta me Rusinë dhe ka kritikuar Ukrainën.
Ai konsiderohet nga shumë në të djathtën e ashpër amerikane si model për politikat e ashpra të Trumpit ndaj emigracionit dhe për mbështetjen e konservatorizmit të krishterë.
Orbani ka thënë ndërkaq se “rishikuan dhe shqyrtuan” marrëdhëniet dypalëshe, pasi ka një president “të ri” amerikan, me të cilin, sipas tij, edhe ai duhet të përshtatet.
“Një epokë e re e artë ka nisur në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë”, ka deklaruar Orban.
“Nuk më kujtohet, megjithëse prej mbi 30 vitesh jam i pranishëm në politikë – hera e fundit kur marrëdhëniet mes dy kombeve kanë qenë në një nivel kaq të lartë, kaq të balancuar dhe kaq miqësor.
Prandaj falënderimet e mia të përzemërta shkojnë për presidentin Trump”, ka shtuar Orbani.