Shtetet e Bashkuara presin që ta përmbyllin operacionin e tyre ushtarak në Iran “brenda javësh, jo muajsh”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pasi u takua me ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) në Francë në kohën kur lufta SHBA-Izrael kundër Iranit po i afrohet javës së pestë.
Duke folur para se të nisej drejt SHBA-së më 27 mars, Rubio po ashtu tha se Uashingtoni mund t’i arrijë qëllimet e tij në Iran pa trupa tokësore dhe se Irani mund të synojë të vendosë një sistem pagese për kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Jemi para afatit të planifikuar... presim që ta përmbyllim... është çështje javësh, jo muajsh”, tha ai për fushatën ushtarake.
“Ne do ta shkatërrojmë marinën e tyre… forcën ajrore… aftësinë e tyre për të prodhuar raketa dhe dronë… dhe do t’i zvogëlojmë ndjeshëm lëshuesit e raketave”, tha Rubio, duke shtuar: “Ne mund t’i arrijmë të gjitha objektivat tona pa asnjë ushtar në terren… ky nuk do të jetë një konflikt i zgjatur”.
Duke iu referuar trupave amerikane të dislokuara në rajon, ai tha se dislokimet kanë për qëllim “t’i japin presidentit fleksibilitet maksimal dhe mundësi maksimale për të përshtatur skenarët e mundshëm, nëse ato shfaqen”.
Komentet e Rubios vijnë në kohën kur Irani paralajmëroi për sulme të reja në të gjithë Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje civilëve të shmangin zonat pranë forcave amerikane, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, zgjati afatin për Teheranin për të hapur Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç për transportin e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik drejt tregjeve globale, deri më 6 prill.
Në një deklaratë, ministrat e Jashtëm të G7-ës dhe përfaqësuesja e lartë Bashkimit Evropian kërkuan ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj infrastrukturës civile në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve në situata të konfliktit të armatosur, si dhe për sulmet ndaj objekteve diplomatike”, thanë ministrat.
G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Irani nuk bëri asnjë lëvizje për të hapur Ngushticën e Hormuzit. Në një deklaratë më 27 mars, Garda Revolucionare Islamike tha se do ta mbajnë të mbyllur këtë rrugë ujore dhe se çdo përpjekje e mundshme për kalim që përfshin Shtetet e Bashkuara, Izraelin apo aleatët e tyre do të përballet me “masa të ashpra”.
Pas paralajmërimit të Gardës, mediat raportuan se më 27 mars tre anije të shteteve të ndryshme u kthyen mbrapsht nga Ngushtica e Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit përbën rreth një të pestën e dërgesave globale të naftës dhe mbyllja efektive e saj nga forcat iraniane është kthyer në çështjen qendrore të konfliktit, që nisi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.
Rubio tha se Irani mund të vendosë një sistem tarife për kalimin në këtë ngushticë, duke e quajtur këtë “të papranueshme” dhe duke theksuar se vendet evropiane dhe aziatike që përfitojnë nga tregtia përmes kësaj rruge ujore duhet të ndihmojnë për të siguruar kalimin e lirë pasi të përfundojë konflikti.
“Ne nuk po i kërkojmë askujt t’i bashkohet luftës”, tha Rubio, duke shtuar se “vendet që preken më së shumti [nga mbyllja e ngushticës]… duhet të jenë të gatshme të bëjnë diçka për këtë”.
Një ditë më herët, Trump për herë të dytë shtyu afatin për hapjen e Hormuzit, teksa ka paralajmëruar se do të kryejë sulme ndaj centraleve energjetike iraniane nëse Teherani nuk e hap këtë rrugë ujore. Ai vendosi që afati i ri për Teheranin të jetë deri më 6 prill.
Fundjavën e kaluar, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do t’i “shkatërrojnë plotësisht” centralet energjetike të Iranit nëse Teherani vazhdon të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pas 48 orësh. Ai më pas e zgjati afatin deri më 27 mars.
Më 26 mars, Trump deklaroi se bisedimet me Iranin “janë duke vazhduar” dhe “po shkojnë shumë mirë”.
Zyrtarë të lartë iranianë kanë mohuar se Teherani është në negociata me Uashingtonin, por Irani tha më 25 mars se po e shqyrton një propozim amerikan me 15 pika dhe paraqiti pesë kushte, që sipas tij, duhet plotësuar për të përfunduar konflikti.
Plani amerikan, sipas raportimeve, përsërit kërkesat e Uashingtonit që Irani të çmontojë objektet e tij bërthamore, të kufizojë kapacitetet e tij raketore dhe të ndalë mbështetjen për forcat aleate në rajon.
Rubio tha më 27 mars se SHBA-ja ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Irani dhe sugjeroi se kontaktet ishin të tërthorta.
“Kemi pasur një shkëmbim mesazhesh dhe sinjale nga sistemi iranian, çfarëdo që ka mbetur prej tij, për një gatishmëri për të biseduar për disa çështje”, u shpreh ai. “Po presim sqarime të mëtejshme për... me kë do të bisedojmë, për çfarë do të bisedojmë dhe kur do të bisedojmë”.
Jozyrtarisht, Teherani i është përgjigjur ashpër planit me 15 pika të Uashingtonit, duke thënë se kushtet e SHBA-së janë të tepruara dhe se do t’i japë fund luftës kur të vendosë vetë dhe nëse plotësohen kushtet e tij, duke këmbëngulur se ka të drejtë të zhvillojë programin e tij të raketave balistike.