Pas më shumë se një dekade lufte shkatërrimtare, qyteti sirian i Deir al-Zourit përpiqet të ngrihet nga rrënojat. I ndarë mes forcave rivale dhe i goditur rëndë nga regjimi i Asadit dhe ISIS-i, qyteti mbetet simbol i qëndresës dhe vuajtjeve. Mes varfërisë, errësirës dhe shkatërrimit, banorët e tij nuk kanë humbur shpresën për rikthimin e jetës dhe dinjitetit
Ndërsa dielli i kuqërremtë perëndonte mbi horizontin e shkretëtirës, fëmijët bërtisnin dhe loznin në ujërat e lumit Eufrat e familjet e tyre shijonin piknikët në tryeza të vendosura pranë tij.
Mbrëmjet pa shqetësime janë rikthyer për shumë njerëz në Siri, por për banorët e Deir al-Zourit, një qytet në lindje pranë kufirit me Irakun, paqja ende nuk ka ardhur.
“Deir al-Zouri dha shumë njerëz dhe shumë gjak”, thotë Ali Muhammad al-Hilou, 45 vjeç, që jeton pranë xhamisë së shkatërruar Othman bin Affan, aty ku nisën disa nga protestat e para kundër diktatorit të atëhershëm Bashar al-Asad në kryengritjen e vitit 2011. “Qeveria duhet të kujdeset më shumë për Deir al-Zourin”.
Ky qytet, provinca përreth dhe banorët e saj luhaten mes krenarisë për të qenë ndër të parët që u ngritën kundër regjimit të Asadit dhe pakënaqësisë për shpërfilljen nga pasardhësi i tij, qeveria e drejtuar tani nga ish-rebeli i kthyer në president, Ahmed al-Shara.
Deir al-Zouri ka fatkeqësinë të jetë qyteti më i dëmtuar në të gjithë vendin, sipas organizatës për zhvillim urban të Kombeve të Bashkuara, UN Habitat. Ai u godit rëndë për vite me radhë nga bombardimet dhe granatimet e regjimit gjatë luftës civile 13-vjeçare kundër kundërshtarëve të tij, dhe më pas nga grupi terrorist Shteti Islamik, apo ISIS-i.
Lagje pas lagjeje janë kthyer në rrënoja të pabanueshme, përfshirë 75 për qind të të gjitha banesave në qytet, sipas UN Habitatit.
Lumi Eufrat, një burim jete dhe qytetërimi që nga kohët e Mesopotamisë së lashtë, u kthye në vijë fronti dhe mbetet i tillë edhe sot. Ura e tij e famshme është shembur dhe shënon kufirin e kontrollit të qeverisë siriane.
Forcat besnike ndaj qeverisë së re siriane kontrollojnë qytetin dhe rrugët kryesore në bregun perëndimor të Eufratit.
Përtej lumit ndodhet një milici e mbështetur nga amerikanët dhe e udhëhequr nga kurdët, e njohur si Forcat Demokratike Siriane, apo S.D.F. Prej vitesh, kjo milici ka qenë aleati kryesor i Uashingtonit në luftën kundër ISIS-it dhe ende mban nën kontroll pjesën më të madhe të Sirisë verilindore.
Qytet i ndarë
Rebelët që rrëzuan Bashar al-Asadin dhjetorin e kaluar dhe që tani përbëjnë shtyllën kryesore të forcave të sigurisë së qeverisë së re, kanë qenë herë pas here në luftë të hapur me S.D.F.-në, duke u gjendur në anë të kundërta të konfliktit civil. Edhe pas formimit të qeverisë së re, përplasjet mes ushtrisë siriane dhe forcave kurdo-amerikane ndodhin ende herë pas here, dhe tensionet politike mes tyre mbeten të forta.
Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje në muajin mars midis qeverisë së re dhe udhëheqësit të S.D.F.-së, Mazloum Abdi, me qëllimin që luftëtarët e tij të integroheshin në ushtrinë siriane. Por që atëherë, zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka ngecur dhe ka pasur pak përparim konkret në terren.
Guvernatori i Deir al-Zourit, Ghassan al-Sayed Ahmed, shprehu shqetësimin e tij në një intervistë, duke theksuar se ndarja aktuale e provincës po pengon përpjekjet për stabilizimin e rajonit dhe rindërtimin e ekonomisë së rrënuar - aq më tepër kur shumica e burimeve natyrore, sidomos nafta, ndodhen në pjesën lindore të kontrolluar nga forcat kurde.
“Ne e dëshirojmë funksionimin e marrëveshjes me S.D.F.-në”, u shpreh guvernatori. “Është e pamundur të jetohet në një provincë të ndarë”.
Zyra e guvernatorit, një ndërtesë e madhe me fasadë guri dhe e rrethuar nga gardhe të forta hekuri, ndodhet në pjesën perëndimore të qytetit - zonë që gjatë luftës civile ishte nën kontrollin e regjimit të Asadit dhe mbeti në gjendje të paprekur nga bombardimet masive.
Kur hyn në qytet nga shkretëtira në perëndim, pamja fillestare të mashtron - qyteti të duket i zhvilluar dhe gjallë, me një kampus universitar të madh, bulevarde të rrethuara nga palma dhe godina qeveritare mbresëlënëse. Por vetëm pak më tej, panorama ndryshon krejtësisht: lagje të tëra të rrafshuara, ndërtesa shumëkatëshe të shkatërruara, grumbuj rrënojash nëpër rrugë dhe rrugica të mbuluara nga pluhuri i madh e i rëndë.
“Në darkë është terr i plotë. Është shumë frikshëm”, thotë Kadri Musalli, një shitës në një nga rrugët kryesore të qytetit, i cili është i detyruar të flejë në dyqanin e tij ushqimor për ta ruajtur mallin nga hajdutët. “Dikur kjo rrugë gumëzhinte nga njerëzit deri në orën 2 të mëngjesit. Tani, dyqani im është i vetmi që ka mbetur hapur”.
Mes rrënojave, njerëzit kanë gjetur mënyra për të mbijetuar: kanë rregulluar një ose dy dhoma për të jetuar, kanë vendosur çadra mbi çatitë e hapura, ose flenë në shtretër të nxjerrë nëpër rrugë. Jeta është bërë e pasigurt dhe e brishtë.
Sipas guvernatorit, rreth 88 për qind e popullsisë së provincës jeton në varfëri ekstreme. Shumë prej të zhvendosurve janë kthyer në muajt e fundit për të gjetur shtëpitë e tyre të rrënuara përtej çdo riparimi. Shumë të tjerë nuk kanë guxuar të kthehen, sepse thjesht nuk kanë ku të jetojnë.
“Pse e shkatërruan kaq tërësisht këtë vend?” pyet Velid Yusuf Ahmed, përgjegjës për sigurinë dhe qasjen në terren për organizatën bamirëse siriane Bahar. “Nuk donin që njerëzit të ktheheshin”.
Për disa banorë, komuniteti që ata njihnin dikur, tashmë është zhdukur. Vetëm pak të krishterë kanë mbetur nga komuniteti i lulëzuar para luftës. Pesë kisha të rrënuara në lagjen e vjetër të krishterë në qendër të qytetit janë dëshmi e asaj që dikur ishte pasuria kulturore dhe fetare e Sirisë.
Njëra nga kishat e shkatërruara është një kishë përkujtimore e gjenocidit armen, e cila dikur ishte një vend pelegrinazhi për armenët nga e gjithë bota.
Përpjekjet për rikuperim
Banorët e Deir al-Zourit, të njohur për mikpritjen dhe zemërgjerësinë e tyre, u dolën në ndihmë refugjatëve armenë që iknin nga masakrat e vitit 1915 në Perandorinë Osmane. Ky akt i ndihmës dhe strehimit është një shembull i jashtëzakonshëm i tolerancës fetare dhe etnike që ka karakterizuar këtë qytet, sipas ministres siriane të çështjeve sociale dhe punës, Hind Kabawat.
Por më vonë, mizoritë e regjimit të Asadit hapën plagë të thella dhe shkaktuan një derdhje të tmerrshme gjaku. Kishat nuk mbetën të paprekura: kisha armene u bombardua nga forcat e regjimit dhe më pas u plaçkit.
Ndërkohë, Kisha e Krishtit Mbret, e themeluar nga murgj të Urdhrit Kapuçin, u hodh në erë nga luftëtarët e ISIS-it. Ata kishin hapur një tunel nën ndërtesë për të sulmuar trupat e Asadit që ishin vendosur aty për strehim dhe pozicion ushtarak, sipas dëshmive të banorëve lokalë dhe zyrtarëve të qytetit.
Për vite me radhë, qyteti u mbajt gjallë me shumë vështirësi, pa energji elektrike për tre vjet të plotë. Furnizimet me ushqime dhe nevoja të tjera bazë mund të vinin vetëm nga ajri, me avionë ushtarakë sirianë. Familjet, në përpjekje për të shpëtuar, shisnin makinat dhe madje edhe shtëpitë e tyre, vetëm për të përballuar një biletë fluturimi jashtë zonës së rrethuar, thotë Mahmoud Abu Alkhair, 25 vjeç, student i drejtësisë dhe barist që punon për të mbijetuar. Që nga mosha 12-vjeçare, ai ka jetuar brenda këtij qyteti të përfshirë nga lufta, pa u larguar asnjëherë.
“E ndiejmë frikën gjatë gjithë kohës”, thotë ai me një zë të lodhur. “Nuk ka asnjë të ardhme për ne. Jam 25 vjeç dhe jeta ime është në pikën zero”.
Megjithatë, përkundër vuajtjeve dhe varfërisë, te njerëzit e Deir al-Zourit vërehet një forcë e jashtëzakonshme karakteri dhe një vendosmëri për të mos u dorëzuar. Ata nuk e kanë humbur shpirtin e mikpritjes, as shpresën për një të ardhme më të mirë.
“Mos shiko shkatërrimin”, i thotë Ali Muhammad al-Hilou gazetarit të NYT-it, duke bërë me dorë nga rrënojat që dikur ishin lagjja e tij. “Kjo është shtëpia ime. Do t’ia dalim, do të jemi mirë”.
Nën hijen e një peme buzë rrugës, Lubna Yassin Shkeimi, një grua 33-vjeçare e divorcuar, shet kafe të shpejtë dhe cigare për të siguruar të ardhurat e nevojshme për bukën e përditshme.
E zhvendosur brenda vendit për 13 vjet me radhë, ajo thotë se është kthyer para katër muajsh së bashku me prindërit dhe vëllain e saj. Meqë nuk kishin mundësi financiare për të riparuar shtëpinë e tyre të dëmtuar rëndë, ata janë detyruar të jetojnë tek të afërmit.
Por sërish, ajo thotë se është më mirë të jesh në qytetin tënd, sesa të jesh refugjat brenda vendit tënd, ku përveç vuajtjeve, përballesh edhe me diskriminim e përjashtim.
“Një njeri nuk mund të jetojë larg shtëpisë së vet”, shprehet ajo me mall dhe vendosmëri.
Moath al-Kurdi, 44 vjeç, saldator dhe ish-luftëtar, thotë se ka lënë armët pas dhe tani ka hapur një dyqan të vogël për të ndërtuar një jetë të re. Ai beson se rilindja është e mundur, por duhen kushtet bazë për të nisur nga e para.
“Nëse arrijmë të pastrojmë rrënojat dhe të rregullojmë infrastrukturën, pjesën tjetër mund ta bëjmë vetë”, thotë ai. “Na duhet vetëm energji elektrike dhe ujë, dhe pastaj do ta rindërtojmë gjithçka me duart tona”.